Nga Moska mbërrin një sinjal domethënës për Kosovën, pasi Vladimir Putin deklaroi se do të mbështesë çdo zgjidhje të ngërçit shumëvjeçar me të cilën do të pajtohen Beogradi dhe Prishtina.
Është hera e parë që shefi i Kremlinit shqipton kaq qartë përkrahjen për fundin e një status quo-je të cilën jo më larg se tetori i këtij viti e përdori si argument për të akuzuar Bashkimin Europian për standarde dyfishe në vazhdën e refuzimit që BE-ja i bëri pavarësisë së Katalunjës.
Komentet e Putinit erdhën në përfundim të takimit në kryeqytetin rus, me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, i cili ka dhënë me kohë shenja nga ana e tij se po kërkon që çështja të marrë një drejtim, e këtë e nisi me iniciativën e dialogut të brendshëm serb.
Putin e ritheksoi qëndrimin e Rusisë për të mbështetur tërësinë tokësore dhe sovranitetin e Serbisë, ndërsa këmbënguli se situata në Kosovë duhet të zgjidhet në rrugë politike, nëpërmjet dialogut në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Vuçiç shprehu mirënjohje për qëndrimin e Moskës ndaj çështjes së Kosovës dhe e siguroi homologun rus se Serbia do të vazhdojë të mbetet ushtarakisht e paanshme.
Presidenti serb ka theksuar vazhdimisht se vendi i tij synon integrimet evropiane, por njëkohësisht dëshiron të ruajë marrëdhëniet me Rusinë, aleate tradicionale e Serbisë, e cila kundërshton po ashtu pavarësinë e Kosovës dhe nuk e sheh me sy të mirë afrimin e vendeve të Evropës Juglindore me strukturat euro-atlantike.
Beogradi ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve euro-amerikane kundër Moskës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë. Vuçiç ritheksoi se vendi i tij këtë nuk do ta bëjë kurrë.
Top Channel