Partia Demokratike publikoi dokumentet të cilat sipas saj vërtetojnë sesi kryeministrit dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës kanë ndryshuar projektin urbanistik të Tiranës si dhe rrjedhën e lumit Lana për llogari të Edmond Begos.

Deputetja Jorida Tabaku tha se biznesmeni trafikant pritet të ndërtojë një kompleks me vlerë 60 milionë euro falë mikut të tij socialist Taulant Balla.

“Me Planin Urbanistik të vitit 2013 projekti për sistemimin e Lanës prekte një pjesë të tokës ku do të ndërtojë Mond Bego. Bëhet fjalë për zonën e njohur si ish Serat, e privatizuar në vitin 2016 me firmën të Arben Ahmetajt. Plani Urbanistik u ndryshua në vitin 2017 me firmën e Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Plani Rama-Veliaj ndryshoi projektin për sistemimin e Lanës me qëllim mosprekjen e zonës së ish serave, ku trafikanti ndërkombëtar i drogës Edmond Bego, ka planifikuar të ndërtojë kompleksin luksoz rezidencial”, u shpreh Tabaku.

Për të vërtetuar akuzat, juristi Gazment Bardhi paraqiti dy kompanitë të cilat sipas Partisë Demokratike janë në pronësi të Edmond Begos.

“Dokumentet e Hipotekës provojnë se kjo sipërfaqe toke i ka kaluar për ndërtim kompanisë ALSION-ALBANIA, e cila është në pronësi 100 për qind e Mond Begës. ALSION-ALBANIA do të ndërtojë tek ish Serat një projekt me vlerë fillestare investimi 60 milionë euro. Projekti luksoz i Mond Begës është krijuar nga studio italiane MISALAB, ku si klient paraqitet kompania tjetër e Mond Begës, INERTE EXPRES. Kompleksi rezidencial, ku do të investohen 60 milionë euro, është paraqitur prej Edmond Begos në Bashkinë e Tiranës, ku kanë nisur procedurat e pajisjes së tij me leje ndërtimi”, tha Bardhi.

Demokratët i kërkuan Prokurorisë së hetojë të trija lotet e projektit të Unazës së Madhe, pasi për ta është një pasqyrë e qartë se si po pastrohen paratë e drogës dhe krimit të organizuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA