Theresa May do të takohet me liderët e Bashkimit Europian në përpjekje për të shpëtuar marrëveshjen e Brexit-it pas vendimit për shtyrjen e votimit të saj në Parlamentin britanik, ku sigurimi i votave të mjaftueshme për miratimin e ujdisë, duket mjaft i vështirë për kryeministren britanike.
May planifikon bisedime me kryeministrin holandez Mark Rutte dhe kancelaren gjermane Angela Merkel. Shefja e ekzekutivit në Londër thotë se i nevojitet asistenca e mëtejshme për planin e kufirit fizik me Irlandën e Veriut, në mënyrë që të marrë pëlqimin e ligjvënësve.
Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk këmbëngul se BE-ja nuk do të rinegociojë, por liderët në fjalë do të ndihmojnë, sipas tij, lehtësimin e ratifikimit britanik. Dalja me probleme e Britanisë nga Bashkimi Europian u bë edhe më kaotike të hënën, kur kryeministrja Theresa May e shtyu votimin në Dhomën e Komuneve të Parlamentit britanik lidhur me marrëveshjen e saj të Brexit-it.
Nëse marrëveshja nuk do të miratohet, May do të detyrohet të lërë postin dhe ndoshta kjo mund të shkaktonte rënien e qeverisë së saj konservatore. Ishin keshilltaret e May-t ata që këmbëngulën ta hidhte këtë hap e të kthehej në Bruksel, për të siguruar atje më tepër lëshime.
Shtyrja e votimit ndodhi pak orë pasi Gjykata Evropiane e Drejtësisë deklaroi se Mbretëria e Bashkuar mund të anulojë njëanshëm BREXIT-in, duke shtuar shpresat e pro europianëve para votës në Parlamentin britanik.
Top Channel