Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, në Kuvendin e Kosovës shqyrtoi projektligjin për Arsimin e Lartë.
Me këtë rast, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi tha se ky projektligj është modern, në krahasim me ligjin që është aktualisht në fuqi, duke bërë të ditur se në të janë bërë disa ndryshime.
“Qëllimi kryesor për ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë ka të bëjë me modernizimin dhe qeverisjen brenda institucioneve të arsimit të lartë, me qëllimin e vetëm që të kemi rritje të cilësisë në arsimin e lartë”, tha Shyqiri Bytyqi.
“Edhe me ligjin që kemi tani, ka qenë e mundur të bëhen shumë ndryshime, por problemi qëndron te zbatimi i tyre. Ky projektligj i përcakton në mënyrë të qartë kriteret minimale që duhet të kenë institucionet për t’u quajtur universitete, nga këndvështrimi i numrit të stafit që duhet të kenë dhe të kualifikimeve të tyre. Ligji i rrit kriteret për fakultetet që shkollojnë mësimdhënës”, tha Dukagjin Pupovci, ekspert i çështjeve të arsimit.
Në mbledhjen e komisionit, deputetja Teuta Haxhiu e konsideroi shumë të rëndësishëm këtë projektligj, por theksoi se ai duhet t’i marrë të gjitha votat, përfshirë edhe ato të komunitetit serb.
“Fatkeqësisht nuk mund ta kalojmë ligjin pa i pasur edhe votat e komunitetit serb”, tha Teuta Haxhiu, deputete e AAK-së.
Drejtori i Qendrës për Arsim në Kosovë, Dukagjin Pupovci theksoi se problem për shtetin e Kosovës mbetet Universiteti i Mitrovicës së Veriut.
“Universiteti i Mitrovicës së Veriut nuk e njeh fare autoritetin e institucioneve të Kosovës. As që mendon t’i shfrytëzojë privilegjet dhe statusin që i jepet”, tha Dukagjin Pupovci.
Projektligji për Arsimin e Lartë u dërgua me votat e deputetëve për lexim te dytë në Kuvendin e Kosovës, me një abstenim nga deputeti i PSD-së, Driton Caushi. Pika që iu shtua komisionit ishte projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave për studentët, mes Ambasadës së Francës dhe MASHT-it, e cila po ashtu u dërgua në lexim të parë në Kuvend.
Top Channel