Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj shpjegoi se masat që po merren ndaj Serbisë janë pasojë e faktit që zëri i Prishtinës nuk është dëgjuar sa duhet në Bashkimin Europian.
Taksa 100% mbi produktet serbe nuk ishte arrogancë, theksoi ai për “Financial Times”; ne thjesht nuk patëm rrugë tjetër.
“Jemi ankuar prej vitesh në Komisionin Europian se Beogradi nuk po e respektonte CEFTA-n, nuk po i respektonte marrëveshjet e Brukselit dhe nuk po i respektonte premtimet e tjera të dhëna në tavolinë, por ata nuk ishin shumë të fokusuar te ne”, shtoi Haradinaj.
Kryeministri ka kërkuar nga Brukseli që t`i marrë më seriozisht aspiratat e Kosovës për anëtarësim, me argumentin se kështu do të shmangej paqendrueshmëria në rajon. Kreu i ekzekutivit kosovar hodhi akuza për Serbinë, duke thënë se po zbaton interesat e Rusisë për të ngjallur tensione në Ballkan.
Në të njëjtën intervistë, Haradinaj preku dhe idenë e lëvizjes së kufijve, duke e përshkruar si “një plan të rrezikshëm për rajonin”.
“Financial Times” e cilëson projektin e ndarjes një ide të nisur nga Presidenti Hashim Thaçi, Aleksandër Vuçiç dhe te disa liderë europianë.
Top Channel