Kundërshtarët e Presidentit francez Emmanuel Macron i kanë lëvduar protestat e jelekëve të verdhë që po gjunjëzojnë Francën prej javësh.
Por, ndërkohë edhe Presidenti amerikan Donald Trump i është referuar demonstratave me disa mesazhe në Twitter, ku thotë se është i kënaqur që protestuesit dhe miku i tij Macron pajtohen me të për faktin se Marrëveshja e Parisit kishte të meta të mëdha pasi rriste çmimin e energjisë për vendet e përgjegjshme.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë e njoftoi qershorin e vitit të kaluar tërheqjen e Amerikës nga Pakti i Klimës, i firmosur nga 195 vende. Kjo marrëveshje, ka shkruar Trump në rrjetin e tij të preferuar social, nuk po funksionon siç duhet për Parisin. Ai madje ka dalë edhe me pretendimin se protestuesit kanë thirrur mes të tjerash: “Duam Trumpin”.
Ish-kryestrategu i Presidentit amerikan, Steve Bannon, është shprehur se “Gilets Jaunes” janë ekzaktësisht tipi i njerëzve që zgjodhën Trumpin dhe i atyre që votuan për Brexit-in. Në vitin 2017, Bannon themeloi me Matteo Salvinin të ashtëquajturën “Lëvizja”, një organizatë jofitimprurëse e cila promovon nacionalizmin ekonomik dhe populizmin e ekstremit të djathtë në Europë, me qëllim krijimin e një “supergrupi populist” përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian në vitin 2019.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian i kërkoi shefit të Shtëpisë së Bardhë që të mos i fusë më hundët në politikën e brendshme franceze pas kritikave të tij në Twitter.
Top Channel