Elisa Spiropali deklaroi nga studioja e Top Talk se qeveria është në opozitë kur flitet për Universitetin, pasi, sipas saj, ai “është i drejtuar në mënyrë partiake”.
“Sot, partitë që dalin e derdhin lot krokodili për ata studentë, duan t’i përdorin studentët. Interesohuni se si kontrollohet senati dhe aty nuk është Partia Socialiste. Faji është i akumuluar për arsimin e lartë, kemi bërë ndryshime të rëndësishme, por reforma duhet të shkojë më tutje dhe më thellë. Ka fonde që shkojnë drejt universiteteve por mbeten aty dhe nuk përkthehen në cilësi shkollimi për studentët. Studentët po shihen si bankomat dhe qeveria po shihet si burim fondesh”, deklaroi zv/kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Kur u pyet nga gazetari Denis Dyrnjaja mos kjo do të thotë se arsimi është i dështuar, Spiropali u përgjigj se beson se “ka përmirësim”.
“Reforma e arsimit të lartë ka nisur në vitin 2015 dhe nuk bëhet për 2-3 vite. Kemi të rinj që kanë dalë nga një sistem arsimor me dyer të shqyera. Unë nuk dua të vë faj, por njerëzit e bëjnë dallimin se kush nuk e ka patur seriozisht arsimin dhe kush po bën kthesën”, shtoi Spiropali.
Top Channel