Presidenti francez Emmanuel Macron pritet te takohet me krerë të sindikatave të tregtisë dhe organizatat e punësimit në përpjekje për të qetësuar trazirat disa javore në Paris dhe qytete të tjera të vendit.

Takimi vjen përpara fjalimit të tij të paralajmëruar në televizion, ku pritet të njoftojë masat që do të marrë në përgjigje të situatës së krijuar.

Franca ka përjetuar katër javë protestash të dhunshme kundër rritjes së çmimit të karburantit dhe kostos së lartë të jetesës. Rreth 136,000 “jelekeverdhë” dolën në rrugë të shtunën e mbi 1200 vetë u shoqëruan në polici.

Më i godituri është Parisi, me vitrina të thyera, dyqane të grabitura e makina të djegura. Ministri i Financave Bruno Le Maire e përshkroi më herët situatën e krijuar si një “katastrofë” për biznesin dhe ekonominë e vendit.

“Jelekeverdhët” janë një lëvizje pa asnjë lidhje politike, por disa sindikata i kanë dalë në mbështetje kauzës së tyre dhe i kanë kërkuar qeverisë të dëgjojë ankesat e protestuesve.

Ne takimin e Macronit me përfaqësues të tyre do të jetë edhe kryeministri Édouard Philippe dhe 9 ministra të kabinetit qeveritar.

Presidenti francez ka mbajtur një profil të ulet deri tani përgjatë protestave. Një pjesë e demonstruesve kanë kërkuar dorëheqjen e tij, duke e akuzuar se nuk ka asnjë raport me njerëzit e thjeshtë e nuk i dëgjon hallet e tyre. Disa vende turistike, përfshirë Kullën Eiffel dhe Muzeu i Luvrit u mbyllën për shkak të protestave gjatë kësaj fundjave.

Top Channel