Ndryshimet klimatike, investitorët: Bota përballet me një krizë epike financiare

10/12/2018 17:31

Investitorë globalë, që menaxhojnë mbi 32 trilionë dollarë, kanë lëshuar një paralajmërim të qartë për qeveritë në Samitin për Klimën të organizuar nga Kombet e Bashkuara në Poloni, duke kërkuar reduktime të menjëhershme të emetimit të dioksidit të karbonit, si dhe heqjen dorë nga djegia e qymyrit.

“Pa e bërë këtë, – thonë ata, – bota përballet me një krizë financiare shumë herë më të rëndë sesa ajo e vitit 2008”.

Mes këtyre investitorëve renditen disa nga fondet më të mëdha në botë të pensioneve, kompani sigurimesh dhe menaxherë asetesh, e ky paralajmërim përbën edhe ndërhyrjen më të fortë që nga hapja e punimeve të Konferencës mbi Klimën.

Ata thonë se, subvencionimi i karburanteve fosile duhet të marrë fund dhe duhet të vendosen taksa të rënda për karbonin.

“Natyra afatgjatë e sfidës, sipas këndvështrimit tonë, është pritur me një reagim inekzistent. Kjo është receta për një katastrofë, pasi pasojat e ndryshimeve klimatike mund të jenë të papritura, të ashpra dhe katastrofika”, tha Chris Newton, nga “IFM investors”.

Sipas investitorëve, mund të ketë deri në 23 trilionë dollarë humbje ekonomike në vit, në shkallë globale, nëse nuk do të ndërmerren masa. Edhe agjencia e vlerësimit “Standard and Poor’s” ka paralajmëruar udhëheqësit botërorë se ndryshimet e klimës kanë nisur që tani të cënojnë funksionimin e botës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA