Parisi u kthye prej ditësh në skenën e buçitjes së zemërimit popullor ndaj rritjes së çmimit të karburantit, por jo vetëm.
Rrugët e kryeqytetit francez kanë qenë të fjetura përgjatë pjesës më të madhe te presidencës së Emmanuel Macron-it, duke ia kursyer deri më tani shefit të Elizesë pamjet dramatike si ato të banlieue-ve në flakë. Imazhe të tilla u duk se i ishin lënë harresës dhe tërbimi i turmave, gjithashtu. Por disa gjëra, nuk duhen marrë për të mirëqena e këtë tani, presidenti francez e ka më të qartë se kurrë.
Zemërata nuk i drejtohej vetëm planit të tij për ta rënduar akoma edhe më shumë një çmim të rritur prej kohësh në heshtje pak e nga pak, por edhe asaj që shihej si pandjeshmëri ndaj barrës së hedhur kësisoj mbi supet e njerëzve të thjeshtë. Janë periferitë dhe qytetet më të vogla ato ku pakënaqësia hodhi rrënjë më shumë. Sepse këtu plot njerëz varen prej makinave, dhe rritja e çmimit të naftës e benzinës i prek më tepër se ata, për të cilët një mënyrë e tillë transporti mund të mos jetë patjetër domosdoshmëri.
“Një parizieni mbase edhe mund të mos i interesojë shumë ajo që po ndodh, sepse atij ndoshta edhe s`i duhet makina. Po ne që jetojmë ne këmbë të malit, hajde na thuaj neve. Nuk ka trena apo autobusë që të na çojnë atje. Makina na nevojitet patjetër”, tha një prej protestuesve.
Por, për të tërhequr siç duhet vëmendjen e autoriteteve, shesh-beteja duhet të ishte kryeqyteti. Mijëra jelekë-verdhë vazhduan të vërshojnë në Champs Elisee që prej protestës së parë mbarëkombëtare, në 17 nëntor, së cilës të paktën sipas përllogaritjeve, rezultoi t`i ishin bashkuar gati 300.000 vetë. Indinjata pati një objektiv të qartë: presidentin Macron, një njeri sipas protestuesve, jashtë realitetit dhe pjesë e një grupi të ngushtë elitar, i cili as i kupton ata që dolën nëpër rrugë, e as u intereson jetesa e tyre apo perspektiva që u është kufizuar ndjeshëm prej të tatëpjetës së industrisë tradicionale.
“Epo, për mua ky është problemi, Macron i adhuron të pushtetshmit, i adhuron bosat e mëdhenj, financierët e mëdhenj, të pasurit në përgjithësi ashtu siç bënte dhe Hollande, por për njerëzit e thjeshtë, nuk i bëhet vonë fare. Dhe jo vetëm nuk i pëlqen, ai praktikisht i përbuz këta lloj njerëzish. Prandaj jemi këtu ne. Ato aktet e vandalizmit, janë për të ardhur keq vërtet, është e trishtueshme çfarë bë u tek Harku i Triumfit, por personi i parë që duhet fajësuar është Macroni, unë kështu them” tregon Jean, një nga protestuesit.
Jean i`u bashkua protestave këtë fundjavë sepse është i ngopur me atë që e quan “mënyrë monarkike qeverisjeje” e Macronit dhe nënvlerësimit të bërë shtresave të varfra. Këtu, argumentet e tij dhe të atyre që mendojnë në të njëjtën mënyrë përforcohen nga incidenti i muajit shtator, kur shefi i Elizesë iu kthye keqas një lulishtari të papunë.
“Nëse ke vullnetin dhe je i motivuar, nëpër hotele, kafene, restorante, në ndërtim, nuk ka një vend ku ti mund të shkosh e të të thonë se nuk kërkojnë njerëz për të punësuar”, është shprehur Macron.
Me sa duket, Macronin nuk e kanë quajtur më kot “presidenti i të pasurve”, sepse këtë nuk e mendojnë vetëm njerëzit e thjeshtë. Pasaniku i tretë më i madh në vend, dhe i 25-ti në mbarë botën, Francois Pinault e ka artikuluar hapur mendimin e tij për presidentin centrist: “Ai, thotë Pinault, nuk i kupton të varfrit“.
François Pinault, pronar i Kering Group thotë: Druhem shumë se Macron po e udhëheq Francën drejt një sistemi që i harron njerëzit më pak në gjendje të këtij vendi.
Pinault, një prej biznesmenëve ndoshta më frikësues por edhe më të admiruar në vend, është themeluesi i gjigandit të luksit të njohur aktualisht si Kering, i cili zotëron mes të tjerash Guccin, Yves Saint Laurent, Balenciagan dhe Alexander McQueen. Ky mik i hershëm i ish presidentit Jacques Chirac, është po kështu një njohës i mirë i politikës franceze dhe qershorin e këtij viti, kur një personazh i tillë me peshë bënte deklaratën e fortë ndaj shefit të Elizesë, Macroni kishte shkaktuar polemika të mëdha në vend me refuzimin për të diskutuar planet e ndërtimit të një pishine në rezidencën e vet presidenciale në Fort de Bregancon, ne rivierën franceze.
Kundërshtarët u hodhën në sulm menjëherë, duke vringëlluar, në vend të shpatës, argumentat se një veprim i tillë ishte krejtësisht i pavend dhe fare i të pandjëshëm, sidomos në një kohë kur qeveria sapo kishte shkurtuar përfitimet e strehimit për të vobektit. Pinault, nuk ishte i vetmi person i fuqishëm në Francë që perceptonte me shqetësim një mungesë raporti mes presidentit dhe qytetarëve që nuk gëzojnë një mirëqënie të lartë. Në të njëjtën linjë me të qe dhe Matthieu Pigasse, drejtues i bankës së njohur të investimeve, Lazard.
Në një Citat të Matthieu Pigasse, nga banka Lazard thuhet: “Atij njeriu i mungon një dimension thelbësor social dhe një politikë e pastër e luftës kundër pabarazisë në të gjitha format e saj. Ku i ka planet për rregullimin e periferisë,ato të luftës kundër varfërisë apo përpjekjet shtesë për një arsim më të mirë?’.
Mungesa e vazhduar e bindjes se politikat e tij po ndihmojnë vërtet në reduktimin e pabarazisë tani ka nxjerrë krye sërish, e ushqyer prej indinjatës që ngjalli veprimi më i fundit i presidentit, i perceptuar si shpërfillës nga demonstruesit dhe si një dëshmi përforcuese e shkëputjes së Macronit nga realiteti i popullit të thjeshtë.
“Unë kam dalë në pension e ja po ju them se ne i paguajmë të gjitha taksat, përpiqemi madje edhe të ndihmojmë fëmijët tanë që nuk po i’a dalin dot mbanë siç duhet, ok? Sepse kanë rroga minimale, ndërsa Macroni rri i ulur në atë kolltukun e vet luksoz e i mbush mendjen vetes se çdo gjë shkon mirë, kur ja çfarë ndodh, shikojeni vetë, dëshpërim dhe vetëm dëshpërim”, tregon Christine, një pensioniste.
“Kjo taksa e karburantit, kjo ia vuri kapakun të gjithave; qeveria hesht, kështu nuk zgjidhet gjë”, thotë Frederick, 41 vjeç.
“Ata po presin që ne të lodhemi , por kam përshtypjen se do të lodhen ata prej nesh, sepse njerëzit janë lodhur vërtet, ama janë lodhur nga këto lloj politikash”, thotë një tjetër protestuese Leticia, 42 vjeç, nëpunëse civile.
Humanizmi duhet vendosur përpara parave; këtë përsëriste njëri prej protestuesve përpara Harkut të Triumfit, pjesë e asaj kategorie që vendosi të bëhej pjesë e protestës sepse paratë që fitojnë nuk i dalin për të mbyllur muajin, vetëm për të zbuluar pastaj se qenka pak më e privilegjuar se disa të tjerë. Përse? Sepse fiton më shumë se 1 mijë euro në muaj; e mjaft protestues në rrugë e Parisit, nuk e arrijnë dot as aq. Këta të pashpresë, nuk kanë asgjë për të humbur.
“Zoti Macron, na kërkove të të takonim. Eja na tako, këtu jemi, por mos dërgo delegatët e tu, eja fol vetë me njerëzit që janë të pakënaqur, eja shikoji një herë njerëzit e vërtetë e mëso se çfarë duan” tregon një tjetër protestues.
Po kush janë “Les Gilets Jaunes”? Lëvizjen e vesh një tis misteri: tubuesit nuk kanë një lidership të identifikueshëm, asnjë lidhje politik, dhe tërë drejtimi i nismës bëhet nga mediat sociale. Gjithë çfarë dihet është se njerëzit nuk mbajnë më, e pikërisht ky fakt ka bërë bashkë të moderuar, anarkistë të ekstremit të majtë e nacionalistë të djathtë.
Neubourg ishte vendi ku nisi për herë të parë në 10 nëntor bllokimi i rrugëve. Brenda një jave, u bllokuan 2304 të tilla. Pjesa dërrmuese e protestuesve janë nga ajo që e quajnë “Franca e harruar”. Por, pati dhe shumë dhunë e vandalizëm; qeveria pretendoi se lëvizja po radikalizohej, edhe pse në krahun tjetër, këtë nuk e pranuan.
“Mund të ketë grupe ekstremistësh që janë infiltruar, ata e kanë nisur dhunën; ne jemi paqësorë; jemi thjesht disa njerëz normal që kërkojnë një jetë më të mirë”, tregon një protestues.
Qindra te burgosur, dhjetëra të lënduar mes të cilëve edhe efektivë policie; zjarr e gaz lotsjellës rrugëve të Parisit: kjo është panorama e një konflikti që u mendua fillimisht se do të zgjidhej shpejt. Protestuesit do të mërziteshin e do të ktheheshin në shtëpi; në fillim do të ishin shumë, pastaj do të rralloheshin derisa te mbeteshin vetëm disa syresh; bindja dhe harresa do të mbretëronin sërish. Vetëm se realiteti doli paksa jashtë skenarit; jelekët e verdhë vazhduan të mbushin rrugët, të vendosur të mos tërhiqen. Në fund, ai që përkundër dëshirës së vet u detyrua ta bënte hapin mbrapa, rezultoi të ishte Emmanuel Macron, dhe qeveria e tij.
“I kam dëgjuar shqetësimet e njerëzve mbi aplikimin e kësaj takse dhe vlefshmërinë e saj. për këtë arsye, e pezulloj masën për 6 muaj, me qëllimin që të gjenden mënyrat e duhura të përshtatjes” tha për protestuesit Edouard Philippe, kryeministër i Francës.
Në thelb, ajo çfarë kreu i ekzekutivit u përpoq të tregonte ishte se zemërimit të popullit, i duhej vënë veshi. Roli kryesor i shtetit është të garantoje rendin publik, tha ai e në duhet te luftojmë kundër atyre që rrezikojnë unitetin e kombit tone. Dhe këtu, e kishte një të drejtë: ashtu siç ndodhi edhe me Brexitin në Britani, situata e krijuar nxori në pah një përçarje të thelle të vendit. Zmbrapsja e lidershipit qe e befasishme. Deri në atë moment, u duk se presidenti nuk kishte dilema për zgjidhjen që duhet të jepte. Ai e kishte bërë të qartë se do t`i qëndronte linjës së vet.
“Dua të them se nuk i ngatërroj veprimet e papranueshme të disa grupeve me protestat ku janë futur. Nuk po i përziej huliganët me qytetarët që duan t’u dëgjohet zëri. I kuptoj këta qytetarë, por nuk do të thyhem para atyre që kërkojnë shkatërrim dhe trazira, sepse Republika ka të bëjë me rendin publik po aq sa dhe me lirinë e shprehjes së mendimit”, tha Macron në një dalje publike.
Shumë i prerë, ishte treguar që në fillim edhe zëdhënësi i ekzekutivit, Benjamin Griveaux. “E kemi thënë se nuk do te ndryshojmë kurs, sepse ruajtja e kursit është një gjë e mirë. U benë 30 vjet që njerëzit ndërrojnë kurs çdo 18 muaj”, ka thënë Benjamin Griveaux, zëdhënës i qeverisë.
Por, në fund, kursin e ndryshuan. Çmimi i naftës në Francë është rritur me 23% këto muajt e fundit, duke prekur tanimë nivelin e 1,48 eurove dhe zemërata ndaj tij u rrit ngadalë, si në radhët e komunitetit rural ashtu edhe atij urban për t`u kthyer më pas në një ortek që i dha një shkundje të mirë establishmentit. Në rrugë doli ajo pjesë e popullsisë, e cila nuk shihet shumë; nuk janë francezët jeta e të cilëve lulëzon në qytetet e mëdha; është ai 50 përqindëshi tjetër i Francës, ai që jeton në qyteza të vogla anekënd vendit, njerëz që ndiejnë se janë harruar, janë braktisur në rrafshin ekonomik, kulturor e politik dhe që duhet të mbajnë barrën e taksave të cilat vitet e fundit janë rritur vazhdimisht. Kjo e naftës, i dha fund durimit. Tanimë nuk flitet vetëm për taksën e papranuar, flitet për faktin qe këta njerëz ndiejnë se u është thërrmuar jeta, e me këtë në mendje, pretendojnë më shumë sesa uljen e një çmimi, tani duan largimin e kreut të shtetit.
Taksa ajo që përflaku Francën ishte një produkt i angazhimeve të vendit ndaj ndryshimeve të klimës. Qe prej zgjedhjes se tij majin e 2017-tës, Macron është shfaqur si avokat i zëshëm i hedhjes në veprim për mbrojtjen e ambientit. Por, ndërkohë është kritikuar se ka bërë për klimën me pak nga sa premtonte.
Aprovimi për kreun e Elizesë ka zbritur sot në nivele rekord, edhe pse kjo mund t`i faturohet deri diku trendit historik të francezëve për t`iu kthyer kundër kreut të shtetit në këtë pikë të mandatit. Vetë Macron e pat thënë kohë më parë se Franca, mbetet përjetësisht nostalgjike për monarkinë, por paraardhësi i vet Francois Hollande ia bëri një paralajmërim: “ata që mendojnë se populli kërkon një mbret, të mos harrojnë se janë pjesë e një kombi që ia heq kokën monarkut”!!
As tërheqja e qeverisë nuk e zgjidhi plotësisht situatën, me jelekverdhët që i vazhduan aksionet e tyre. Parisi në sytë e mjaft francezëve përjetoi këto javë tubimet masive më të dhunshme që prej ngjarjeve të majit 1968, kur demonstratat, grevat dhe pushtimi i universiteteve e fabrikave në mbarë vendin, e paralizuan praktikisht të gjithë ekonominë franceze. 1 dhjetori shkruan e përditshmja e qendrës së djathtë “Le Figaro” duke iu referuar momentit të përplasjeve të mëdha, do të mbetet një plagë kolektive në mendjen e kombit tonë, që në këtë ditë, pati ndjesinë se përjetoi kolapsin e shtetit.
Nga Irida Vasia
Top Channel