Shërbimi hekurudhor në Gjermani pati probleme të mëdha të hënën për shkak të grevës së punëtorëve që ankohen për pagat e tyre.
Operatori kryesor i transportit hekurudhor në vend dhe një prej më të mëdhenjve ne bote, Deutsche Bahn njoftoi se shërbimet ndër-rajonale u pezulluan në mbarë vendin për shkak të aksionit 4 orësh që nisi herët në mëngjes.
Një zëdhënës i saj i tha AFP-së se greva ka prekur të gjithë shërbimin. Sipas Deutsche Bahn, në landin jugor te Bavarisë, u ndërpre i gjithë trafiku hekurudhor.
Negociatat e pagave mes Deutsche Bahn dhe sindikatës së punëtorëve të hekurudhave, EVG, të cilët kërkojnë një rritje prej 7.5% për 160,000 të punësuar, përfunduan të dielën pa marrëveshje.
“Nuk u arrit asgjë. Punëdhënësit na benë një ofertë, e cila nuk përputhej me kërkesat e anëtareve të sindikatës sonë”, u shpreh Regina Rusch-Ziemba, negociatore EVG.
Por operatori hekurudhor e cilësoi grevën si të panevojshme, ndërsa ofertën e përshkuan si mjaft të mirë e që përmbush sipas tij kërkesat kryesore të punëtorëve. Deutsche Bahn megjithatë, sipas agjensisë së lajmeve DPA, po përpiqet ta zgjidhë situatën dhe i ka ftuar sindikalistet për një raund të ri bisedimesh pasditen e sotme.
Top Channel