“Dekreti Salvini”, Kisha Katolike hap dyert për emigrantët

10/12/2018 17:17

Priftërinjtë italianë thonë se emigrantët do të gjejnë streha të sigurta në kisha, nëse ata dëbohen nga qendrat e pritjes, kjo pasi qeveria italiane miratoi një ligj këtë javë, që u heq atyre mbrojtjen humanitare.

Emigrantët në Itali druajnë se mund të mbeten në rrugë, pasi qeveria italiane miratoi atë që njihet si “dekreti Salvini”, pasi ka si autor ministrin e Brendshëm të së djathtës ekstreme, Matteo Salvini.

Ligji i ri heq mbrojtjen humanitare dhe kufizon të drejtën për të kërkuar azil të refugjatëve të prekur nga lufta dhe përndjekja politike.

“Emigrantët nuk mund të lihen në rrugë”, tha Sekretari i Shtetit në Vatikan, kardinali Pietro Parolin. Ai shtoi se pozicioni i Vatikanit është i qartë.

“Një ndjenjë e thellë solidariteti duhet të mbijetojë. Ju nuk mund t’i vendosni njerëzit në një pozitë të tillë. Duhet të fokusoheni gjithnjë te njerëzit dhe te të drejtat e tyre”.

Në anën tjetër, peshkopi i Caltagirones Calogero Peri nuk e frenon gojën dhe thotë se dekreti i ri i qeverisë ka në shënjestër pjesën më vulnerabël të vendit.

“Të braktisësh qentë është një krim, të braktisësh emigrantët është e patolerueshme”, tha ai, duke shtuar se kishte mundur të siguronte rreth 40 shtretër për emigrantët e bllokuar, e se do të hapte më shumë dyert e kishave nëse do të ishte e nevojshme.

Dëbimi i emigrantëve nga Cara di Mineo, qendra më e madhe pritëse në Itali, është shtyrë prej ditësh, por 90 persona nga 1.800 që ndodhen atje do të nxirren jashtë të martën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA