Frans Timmermans do të udhëheqë Partitë Europiane Socialiste (PES) në zgjedhjet e vitit të ardhshëm për Parlamentin Europian.
Ish-ministri i Jashtëm holandez, që aktualisht është zëvendëspresident i Komisionit Europian, ishte i vetmi person në garë në Kongresin e socialistëve në Lisbonë.
Ai tha se rebelime të dhunshme, si ai që po shihet në Francë, duhet të evitohen dhe për këtë nevojiten politika alternative.
“Dhuna nuk është asnjëherë mjet, – tha ai. – Dialogu është mënyra më e mirë për të ecur përpara, e ne ofrojmë dialog për të garantuar që do të adresojmë çështjet për të cilat populli është i shqetësuar”.
Duke mbyllur Kongresin, Timmermans tha se zgjedhjet europiane të vitit të ardhshëm janë kritike për kontinentin.
“Zgjedhjet e majit, miqtë e mi, nuk janë të thjeshta. Ato janë zgjedhjet që kanë më shumë në lojë, që nga koha kur zgjedhjet e drejtpërdrejta për Parlamentin Europian u mbajtën për herë të parë në vitin 1979. Këto zgjedhje kanë të bëjnë me shpirtin e Europës”, tha Timmermans.
Partitë Popullore Europiane, të së djathtës konservatore, zgjodhën pak javë më parë Manfred Weberin që t’i udhëheqë në zgjedhjet e ardhshme.
Top Channel