Edhe pse zyrtarë të BE-së konfirmojnë sërish se Kosova është i vetmi vend në Europë, të cilit i privohet udhëtimi pa viza në vendet e “Schengen”-it, të rinjtë kosovarë nuk i humbasin shpresat se një ditë do të mund të shkojnë ngado.
“E kam ëndërr të vizitoj një shtet të Bashkimit Europian. Por, a do ta kem mundësinë sa jam e re?”, pyet 19-vjeçarja nga Prishtina, Rina Kryeziu, njëra prej shumë të rejave në Kosovë që nuk kanë pasur mundësi të udhëtojnë në Europë, por që ëndërrojnë të shohin nga afër Parisin, Berlinin apo Romën.
Por çfarë i pengon qytetarët e Kosovës të udhëtojnë drejt kryeqyteteve europiane? Së pari kostoja e lartë e pajisjes me vizë, pa llogaritur procedurat e ndërlikuara, për të shtuar edhe skepticizmin e të huajve ndaj aplikuesve të rinj nga Kosova. Por, edhe kostoja e udhëtimit, pasi një biletë avioni drejt një prej vendeve të BE-së kushton po aq sa ç’fitohet në një muaj të tërë mesatarisht, prej një të riu që punon, rreth 300 euro.
Të rinjtë në Europë punojnë shumë, por atyre u ofrohen gjithashtu më shumë mundësi se ku të mund të angazhohen dhe të zhvillohen. Ky është një dallim i madh nga shumë prej të rinjve të Kosovës, që shpesh një pjesë të madhe të kohës e çojnë dëm dhe pa ndonjë aktivitet.
Edhe pse hapja e dyerve të Europës për rininë kosovare po vonon, kjo e fundit nuk i ka humbur shpresat, teksa është përpjekur që përmes nismave të ndryshme ta sjellë Europën sa më pranë Kosovës.
Për disa të rinj, aktivistë në kuadër të nismës qytetare europiane “Pulse of Europe”, vlerat themelore që çdo europian transmeton janë respekti për dinjitetin njerëzor, liria dhe barazia. Këto janë vlerat mbi të cilat është themeluar BE-ja. Ndaj edhe Kosova, sikurse çdo shtet tjetër europian, duhet të punojë për mbrojtjen dhe promovimin e këtyre vlerave.
Ndonëse nuk ekziston ndonjë matës që të vlerësojë sesa e duan shqiptarët Europën, historia flet për orientimin europian të shqiptarëve. Kosova sot ka popullsinë me moshën më të re në Europë, mesatarisht 26 vjeç, e gjithashtu është një nga shtetet më pro Brashkimit Europian.
Kategorizimi për shqiptarët këtej e andej kufirit si qytetarë nga “non-EU countries”, pra vendet që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian, i pengon shumë këta të rinj. Edhe pse shteti i tyre nuk është pjesë e BE-së, ata nuk e ndiejnë veten të ndryshëm nga qytetarët e Bashkimit Europian.
Ata kanë një këshillë për BE-në: përcaktimi “Non-EU Countries” ndoshta është më mirë të zëvendësohet me “Potential – EU Countries” apo “Future EU countries”, sepse siç ka thënë edhe Robert Schuman, në deklaratën e tij të 9 majit të vitit 1950, “Europe ëill not be made at once”. Pra, të gjithë jemi europianë dhe të gjithë duhet të ndihmojmë në integrimin e të gjithë europianëve në Europë.
Top Channel