Autoriteti Rrugor Shqiptar po përgatitet për të hapur menjëherë nga e para garën e prokurimit për ndërtimin e mbikalimit te sheshi “Shqiponja”, nëse nga autoritetet amerikane do të vijë një përgjigje zyrtare se kompania fituese e tenderit për lotin e parë, “Dunwell Haberman Albania” ka falsifikuar dokumentacionin.
Qeveria kërkon të mos humbasë kohë. Sipas planifikimeve, projekti duhet të mbarojë para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, ndërkohë që zgjatja e periudhës së ndërtimit do të kishte pasoja në trafikun e rënduar për shkak të punimeve.
Burime nga Ministria e Infrastrukturës bëjnë me dije se, brenda javës së ardhshme pritet që të vijë përgjigjja nga Shtetet e Bashkuara, e më pas do të procedohet. I gjithë procesi i ritenderimit, nga hapja e garës deri te shpallja e fituesit, mund të zgjasë mbi një muaj.
“Dunwell Haberman Albania”, në bashkëpunim me kompaninë shqiptare “Biba X”, u shpall fituese për rindërtimin e lotit të parë të “Unazës së re”, ku përfshihet edhe ndërtimi i mbikalimit te sheshi “Shqiponja”. Por më pas, në medien shqiptare dolën dokumente që implikonin kompaninë “Dunwell Haberman Albania”, degë e një kompanie mëmë në Shtetet e Bashkuara, në falsifikime të datës së regjistrimit.
Tani për tani nuk janë bërë pagesa buxhetore dhe ARRSH ka vendosur ndalimin e punimeve në lotin e parë. Nëse nga përgjigjja zyrtare, që do të vijë nga Shtetet e Bashkuara, do të rezultojë se me të vërtetë kemi të bëjmë me falsifikim dokumentesh, atëherë kontrata do të anulohet dhe do të bëhet kallëzim penal në Prokurori kundrejt këtij operatori.
Po ashtu, Autoriteti i Rrugëve do të arkëtojë sigurimin e ofertës, të bërë nga bashkimi i kompanive “Dunwell Haberman Albania” dhe “Biba X”, një shumë që i kalon 2 milionë eurot.
Loti i parë i punimeve për rindërtimin e “Unazës së re” është edhe më i kushtueshmi i projektit. Nga rreth 40 milionë euro, gati gjysma ose 20 milionë euro do të shkojnë për ndërtimin e mbikalimit te sheshi “Shqiponja” dhe nyjet lidhëse të tij me rrugën “Dritan Hoxha” dhe “Unazën e madhe”.
Top Channel