Një stuhi dimërore është duke mbjellë kaos në Kaliforni, ku është përplasur me shira të dendura në disa zona të këtij shteti e me dëborë në disa të tjera.

Kalifornia ndërkohë ende nuk e kishte marrë veten plotësisht nga zjarret shkatërrimtare, të cilat morën me dhjetëra jetë njerëzish muajin e kaluar.

Tani ajo është kthyer në ndalesën e parë të sistemit të fundit të stuhive të sezonit të ftohtë, të cilat pritet të përfshijnë gjatë fundjavës Shtetet e Bashkuara.

Rrugët janë kthyer në lumenj të vërtetë në rajonet më të goditura të Kalifornisë, ndërsa mijëra njerëz janë këshilluar të largohen nga shtëpitë e tyre prej frikës së vërshimit të ujërave.

Zjarret duket i kanë lënë një pjesë të zonave të shkrumbuara prej tyre, mjaft të cënueshme nga rrëshqitjet e dheut. Në Costa Mesa, rrugët u mbushën me ujë aq shpejt sa banorët nuk patën mundësinë t’i lëviznin makinat e parkuara.

Reshjet e befta të dëborës janë bërë shkas sakaq edhe për bllokime trafiku, ndërsa meteorologët po bëjnë ç’është e mundur për ta monitoruar me kujdes situatën.

Top Channel