Protestat në Shqipëri dhe mossuksesi i tyre ka qenë tema e radhës në Top Talk këtë të martë, ku në studio ka qenë opinionisti Dritan Hila.
Për Dritan Hilën, shqiptarët e kanë humbur besimin tek elita politike, si tek qeveria e po ashtu edhe opozita, e kjo është edhe arsyeja se përse nuk u bashkohen protestave masive.
Sipas tij nevojitet formimi i një grupi të ri opozitar që të përfaqësojë zërin e qytetarëve, por që sistemi zgjedhor në Shqipëri nuk e lejon një gjë të tillë, pasi liderët e tre partive kryesore në vend nuk u intereson kjo gjë.
“Ne kemi problem degradimin e klasës politike, kodi zgjedhor që nuk le shumë hapësira. Krijimi i partive është bllokuar nga sistemi, i intereson Ramës, Bashës dhe Metës-Kryemadhit. Këtyre u interesojnë që të qarkullojnë vetëm ata”, u shpreh Hila.
Ai thekson se përveçse nuk ka shumë hapësira, votat janë vjedhur në mënyrë sistematike nga forcat e reja politike, e ato më vogla, e askush nuk i ka mbrojtur.
“Votat e Ben Blushit dhe Shpëtim Idrizit u vodhën në mënyrë sistematike. Ata nuk ishin në gjendje të mbronin votat e tyre, edhe pse ishin në Kuvend. Kush do i mbrojë votat e një opozite të re”, tha Hila.
Më tej ai shton se opozitari në Shqipëri përndiqet dhe kjo është vënë re që nga koha e Ahmet Zogut, i cili ishte i fundit që u mundua që të afrojë rivalët politikë. “Vetëm ai pas 1924 u përpoq që të korruptohet te kundërshtarët duke u dhënë poste, Ndërkohë që të gjithë të tjerët i kanë përndjekur opozitarët”, u shpreh Hila.
Top Channel