“Përralla e Hirushes”, Maradona nuk arrin të imitojë Ranierin

03/12/2018 08:41

Ekipi i drejtuar nga Diego Maradona, Dorados de Sinaloa, dështoi të fitonte finalen e kategorisë së dytë meksikane, e rrjedhimisht edhe promovimin në elitën e futbollit, gjatë së dielës, duke përfunduar papritmas historinë e “Hirushes”, të fundit gjatë karrierës së legjendës së futbollit argjentinas si trajner.

Dorados, një ekip që vjen nga qyteti perëndimor i Sinaloas, famëkeq për shkak të klaneve të drogës, humbi takimin e dytë final ndaj Atletico San Luis, me këtë të fundit që fitoi 4-2 përballjen e dytë pas kohëve shtesë, si dhe 4-3 në total sfidën e drejtpërdrejt për promovim.

Maradona ngriti vetullat, kur u njoftua gjatë muajit shtator se ai do të merrte rolin e trajnerit te Doradosi aq shumë në vështirësi, kohë gjatë së cilës ekipit ndodhej në vendin e 13 në një kampionat me vetëm 15 skuadra.

Skeptikët ngritën dyshime se, çfarë interesi kishte një kampion bote me Argjentinën gjatë vitit 1986, i cili ka luftuar publikisht ndaj varësisë nga droga dhe alkooli, të zhvendosej për të vijuar karrierën e tij në një qytet aq shumë të njohur për kartelet e drogës, e aspak për futbollin.

Por, ai iu përgjigj kritikëve me një seri emfatike fitoresh, duke drejtuar ekipin drejt hapit të fundit për t’u promovuar në elitën meksikane të futbollit. Në fakt, në këtë ndeshje të fundit, “El Pibe de Oro”-s i duhej ta ndiqte sfidën nga shkallët e tribunës, pasi ishte ndëshkuar me të kuq gjatë takimit të parë të finales, pikërisht sepse kishte sulmuar zyrtarët e ndeshjes për një vendim të dyshimtë mbi një 11-metërsh të mohuar.

Po çfarë ndodhi në këtë ndeshje të dytë? Dorados shënoi i pari në qytetin qendror të San Luis Potosi, e më pas gjeti sërish avantazhin në minutën e 57, vetëm pak minuta pasi vendasit kishin barazuar. Ky gol e kaloi në delir Maradonën, i cili shihej teksa përdorte një “ëalkie-talkie” për të udhëzuar asistentin e tij, Luis Islas, në pankinë.

Por, San Luisi barazoi sërish pas 9 minutash, falë një autogoli nga vet Doradosi, e më pas shënoi edhe dy gola të tjera, të katërtin në kohët shtesë, për të dalë triumfues.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA