Derbi i Londrës veriore në kampionatin më të fortë të futbollit në botë parashikonte spektakël dhe ata miliona tifozë që ndoqën Arsenal-Tottenham nga ekrani i vogël nuk u zhgënjyen. “Gunners” dhe “Spurs” dhuruan një ndeshje me emocione dhe gola që vërtetohet edhe nga sekuenca golave të shënuar, e që në fund vlerësoi ekipin pritës në stadiumin “Emiratese”, me shifrat 4-2.
Arsenal mori epërsinë me një penallti të transformuar nga Pierre-Emerick Aubameyang, por Totenhem arriti të përmbyste gjithçka pa shkuar skuadrat në pushim. Në fillim Dier riktheu barazpeshën në derbin londinez e më pas bomberi i kombëtares Harry Kane me një penallti i dha për herë të parë miqve epërsinë.
Në një kohë që publiku i shtëpisë evokonte një tjetër përmbysje, erdhi dhe prekja e bukur nga Aubameyang që barazoi llogaritë. Apoteoza e përballjes më të bukur të javës në Premier Lig, u kompletua me Lacazette dhe Torreira, ky i fundit në golin e parë me fanelën e Arsenalit. Ovacione për të gjithë lojtarët në fushë ndërsa në renditje Arsenal barazon Tottenhamin me pikë.
U luajt gjithashtu një derbi tjetër në premier Lig me duelin e dy trajnerëve italianë te Chelsea dhe Fulham. Blutë e teknikut Sarri mundën 2-0 ekipin e drejtuar nga Ranieri duke marrë vendin e tretë në klasifikim. Golat erdhën nga Pedro Rodrigez dhe Ruben Loftus-Cheek.
Top Channel