Intervista e trajnerit të Tiranës, Ardian Mema, dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, pasi bardheblutë humbën derbin në mënyrë “të hidhur”, duke parë t’u përmbyset avantazhi fillestar.
Sa keqardhje ndjen, pasi humb një tjetër ndeshje, kur skuadra ishte në avantazh?
Është e njëjta tablo që ka ndodhur edhe në disa ndeshe të tjera gjatë javëve të fundit. Të them të drejtën nuk është se luajtëm më mirë se Partizani, por ishim në avantazh dhe kishim mundësi të fitonim ndeshjen. Nuk e di se si mund të pësojmë gola të atillë, konkretisht e kam me Dokën në rastin e golit të parë, pasi topi doli në rivënie anësore dhe ai i ktheu shpinën aksionit, duke neglizhuar në mënyrë të pafalshme. Duhet të flas me presidentin dhe të rishikoj pozicionin tim, pasi nuk mund të vijohet me këtë papërgjegjshmëri.
Komplimente për zgjedhjen e Halilit, që shpërbleu besimin tuaj…
Unë shoh angazhimin e lojtarëve gjatë javës dhe kuptova se Halili ishte gati për të luajtur këtë sfidë, ashtu si edhe e tregoi. Megjithatë mund të them se unë kam përgjegjësinë time në dy nga zëvendësimet e bëra.
Mos duhej një mbulim më i mirë për Trashin?
Nuk na erdhi e keqja nga Trashi, që sot nuk është se bëri ndonjë gjë të madhe në krahun e tij. Problemi ynë është te papërgjegjshmëria, pasi e thashë edhe më lart, i dhuruam Partizanit golin e parë.
Tirana ka vuajtur shumë në goditjet standarde, gjatë ndeshjeve të fundit…
Edhe sot patëm probleme gjatë ndeshjeve standarde, pro kurrsesi nuk mund të pësonim gol nga rivënia anësore, pasi janë të rrallë golat që vijnë në këtë mënyrë. Nuk mund të vazhdohet më duke mbrojtur lojtarët, pasi për ta vendos fusha e lojës, Nuk mund të bësh një ndeshje të mirë dhe tre të tjera nën nivel. Edhe te goli i parë, por edhe te i dyti, gabuam, pasi Hasani nuk e vlerësoi si duhet situatën dhe humbi topin.
Mund të riparohet Tirana me 2-3 afrime në janar, apo e shihni të vështirë këtë situatë?
Mendoj se nuk është bërë gjëja e duhur në merkato, por deri në janar ne do të jemi këta që jemi. Më pas, nëse do të jem unë sërish në krye të skuadrës, do të bëjmë vlerësimet tona, për të afruar elementë që mund të na ndihmojnë të dalim nga kjo situatë.
Jeni përmbysur shpesh, pasi keni qenë në avantazh. Mos duhet të përqendroheni më së tepërmi në repartin e mbrojtjes?
Gjatë këtyre dy ditëve kemi vendosur rekord, duke punuar në këtë aspekt. Dje, por edhe sot kemi punuar shumë me goditjet standarde, madje edhe me analiza, por sot e pësuam nga dinamika.
Top Channel