Një fitore në derbi nuk shijon kurrë si gjithë të tjerat. Madje bëhet edhe më e ndjeshme kur vjen pas një përmbysjeje rezultati, brenda 45 minutave të dyta të takimit të luajtur pasditen e kësaj të premteje në “Selman Stërmasi” të kryeqytetit.

Tirana e drejtuar tashmë nga trajneri Ardi Mema gëzoi më kot revanshin e shumëpritur ndaj “demave të kuq” të Partizanit, kur kaloi në avantazh në minutën e 50 me anë të Grent Halilit.

Por, vetëm pak më shumë përqëndërim nga ekipi vendas, që vetëm i tillë s’mund të quhet kur i luan ndeshjet në “strofullën” e “armikut” më të betuar në futboll, bëri që në fund të 90 minutëshit gjithçka t’u buzëqeshte pikërisht “të kuqve”.

Dy gola nga Hebaj në minutat 66 dhe 86 vendosën takimin e kësaj radhe, të disatin prej gati 5 vitesh që nuk lëshojnë terren ndaj bardhebluve të Tiranës, e për më tepër në këtë sezon që synojnë shumë. Me këtë 3-pikësh, Partizani shkëputet në krye të Superiores me 34 pikë, 4 më shumë sesa Skënderbeu ndjekës, por me një takim më shumë për të luajtur.

Ndërsa Tirana mbetet në kuotën e 11 pikëve pas 15 javësh, duke mbetur në ujërat e zonës së ftohtë që të rrezikon qëndrimin në Superiore. E sa për ironi të fatit, as një mace e zezë që i kishte prerë rrugën autobusit të futbollistëve të Partizanit nuk e ktheu fatin në anën e bardhebluve.

FOTO GALERI
3/24

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA