Milani u rikthye te fitorja në Europa League duke mundur 5-2 Dudelangen, por duke vuajtur më shumë sesa parashikimet ndaj ekipit modest, por më të fortë të Luksemburgut. Përballja në stadiumin “San Siro” rezervoi plot 7 gola dhe një përmbysje, që tifozët nuk e prisnin.

Pas avantazhit të firmosur nga Cutrone, kuqezinjtë lëshuan shumë në lojën e tyre, duke lejuar një përgjigje tronditëse nga skuadra mike. Dudelange arriti të shënojë dy herë me Shtolz dhe Turpel, çka detyroi trajnerin Gattuso të bëjë ndryshime të menjëhershme.

Futja në lojë e Susos dhe Maurit i dha shpejtësi Milanit që arriti të shënojë me Çallhanollu dhe Borini, rrjeta të ndërprera në kohë nga autogolat e Kriz dhe Shnel. Me këtë sukses, Milani hipotekon kualifikimin, pasi i duhet vetëm një pikë në sfidën e fundit.

Arsenal i mbijetoi acarit ukrainas dhe problemeve në transfertën me Vorskla Poltavën, duke u imponuar thellë ndaj vendasve. Formacioni londinez shënoi 3 herë brenda pjesës së parë, duke mos e vënë asnjëherë në diskutim suksesin.

Në një fushë që konsiderohet neutrale si Kievi, ekipi anglez firmosi vendin e parë në grupin E, me golat e Smith-Rou, penalltisë së Ramsi dhe talentit Uillok.

Në xhiron e pestë të Europa League, për t’u shënuar gjithashtu mes të tjerëve, siguria e kualifikimit për Salzburgun, Zenitin, Fenerbahçen, Sportingun e Lisbonës, dhe Dinamos së Kievit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA