20 vite më parë Presidenti i vendit në atë kohë Rexhep Mejdani firmosi Kushtetutën e parë të Shqipërisë pluraliste, e cila u miratua në referendumin e 21 tetorit të vitit 1998.

Por 20 vite më pas kjo Kushtetutë ka pësuar disa ndryshime, me propozime që vinin me sms ose me marrëveshje brenda një nate.

Për konstitucionalistin Çlirim Gjata, Kushtetuta shqiptare nuk i shpëtoi interesave momentale të pushtetit dhe sot Kushtetuta e 1998-s ka humbur balancat qe synoi të vendoste ndërmjet institucioneve.

“Momenti i parë është hartimi dhe miratimi i Kushtetutës, i cili nuk i shpëtoi dot sëmundjes së politikës shqiptare për të shfrytëzuar për interesa momentale të pushtetit. Kjo solli që institucionet të kishin konflikte pasi nuk u respektua chek e balanc dhe duhej ndërhyrja e ndërkombëtarëve për të zgjidhur ngërçet. Momenti i dyte është ndërhyrja 5 herë në Kushtetutë për 18 vjet dhe kjo ka bërë që Kushtetuta e 98-s të humbasë shtyllat kryesore të ndërveprimit ndërmjet institucioneve. Dhe momenti i trete është bërja e një kushtetute të re pasi kjo që është, është bërë pengesë. Nuk mund të ecet më me këtë”, u shpreh Çlirim Gjata.

Por a mund te bëjë një Kushtetutë të re klasa aktuale politike e Shqipërisë?

“Nuk e besoj se ajo çfarë kemi parë dhe po shohim aktualisht edhe me reformën në drejtësi nuk i shpëton dot asaj që thashë më parë, interesave momentale të Pushtetit. Kjo mund të ndryshohet vetëm nën shembullin e perëndimit dhe shembulli më i mirë është Kushtetuta amerikane, e cila 230 vjet më parë eterit e Amerikës bënë një Kushtetutë duke menduar për Amerikën dhe jo për pushtetin momental”, tha Çlirim Gjata.

Në prill të 2008, kushtetuta pësoi ndryshimin më të debatueshëm. Pas një komunikimi telefonik mes ish kryeministri Berisha dhe Ramës në rolin e drejtuesit të opozitës, në kushtetutë u vendos një sistem i ndryshëm zgjedhor. Partitë e vogla protestuan ashpër, LSI u ngujua në Kuvend ndërsa nuk ka njeri që nuk e ka parë këtë shpërthim të Ilir Metës.

Ndryshimi i dytë i rëndësishëm ishte ai që u bë në shërbim të Reformës në Drejtësi. Edhe pse pati një debat shumë të fortë politik pro dhe kundër në fund u tha se ishte një mesazh telefonik nga diplomatët amerikanë ajo që i detyroi 140 deputetët të votonin në rresht ndryshimet kushtetuese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA