Shtëpitë e dy familjeve që pranuan dje të shpërngulen nga zona ku do të kalojë Unaza e Re, u shembën të hënën në mbrëmje dhe të martën në mëngjes.
Banesat ndodhen pranë rrethrrotullimit të sheshit “Shqiponja”, në krahun tjetër të rrugës dhe prekeshin nga projekti i mbikalimit dhe nënkalimit.
Bëhet fjalë për dy ndërtime që janë në aksin kryesor të këtij segmenti, në afërsi të sheshit “Shqiponja”. Ashtu si edhe dy familjet e para, edhe familjet që zotëronin ndërtimet që u prishën janë sistemuar në banesat sociale, të mobiluara, komode dhe me të gjitha kushtet e nevojshme.
Veliaj komentoi fotot e familjeve në shtëpitë e reja, duke thënë se ky është “një fillim i ri për të gjithë”.
“Familjet e para që preken nga projekti i Unazës lanë banesat primitive pa leje mbi kolektorë në gjurmë të rrugës, për një fillim të ri me banesa dinjitoze sociale. Koha që njerëzit të bëjnë llogaritë e tyre, jo të SHQUP-it që i ka mish për top”, shkruan Veliaj në rrjetet sociale.
Ai u ka bërë thirrje banorëve të zonës së Astirit që të distancohen nga përdorimi politik që po u bën opozita dhe të aplikojnë sa më parë pranë Bashkisë Tiranë për të përfituar nga programet e saj sociale.
Edhe kryeministri Edi Rama reagoi në Twitter paraditen e së martës, duke përgëzuar familjet te Unaza e Re “që po ndahen nga lukunia e Shqup-it dhe po përfitojnë sipas ligjit, banesën sociale, bonusin e qirasë trevjeçare apo lekët e shpronësimit për interes publik. Hesapet e Lul Kadriut s’kanë lidhje me interesat e tyre, të Tiranës e Shqipërisë që duam” mbyll postimin kryeministri.
Top Channel