Me dorën e fashuar, u shfaq sot në sallën e gjyqit në Gjykatën e Tiranës, 18-vjeçari Daniel Drobaj, i cili akuzohet se ka plagosur efektiven e forcave “Shqiponja”, Ina Nuka. Në gjyqin për protestuesin e “Astirit”, togat e zeza vendosën masën e sigurisë “Arrest me burg” për 18-vjeçarin, ndërsa në sallë ka pasur tension, teksa me kërkesë të gjyqtarëve u nxorën jashtë deputetët e opozitës.
Ndërkohë sipas një njoftimi nga Partia Demokratike, gjyqtari “ka sjellë rojën e derës dhe ka kërkuar nxjerrjen e deputetëve jashtë me forcë”.
“Klima para seancës duket e tensionuar, ndërkohë që për të riun e arrestuar për plagosjen e polices ka dyshime se në komisariat i kanë thyer gishtat me gjakftohtësi, si shenjë hakmarrjeje”, thuhet në njoftimin e PD.
Mësohet se pas rezistencës, deputetët e PD dhe LSI u nxorën nga salla e gjyqit. Deputeti demokrat Flamur Noka foli jashtë gjykatës, pasi nuk u lejuan të marrin pjesë në seancën për 18-vjeçarin, duke quajtur këtë “një veprim cubash të shtetit që po jep shpirt”.
“Ky nuk është veprim i ligjit dhe shtetit ligjor. Është veprim cubash të veshur me kapele dhe çizme polici. E gjitha për të fshehur dhunën dhe barbarinë që banda e Edi Ramës e veshur me uniformë ka ushtruar ndaj këtij djaloshi. Prandaj u bë me dyer të mbyllura. Prokurori Edi Rama së bashku me gjyqtarin Edi Rama nuk mund ta fshehin. Kjo është fytyra e këtij shteti”, u shpreh Noka.
Ndërkohë, deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj përmes një postimi në Facebook shkruan se dhuna është fytyra e vërtetë e qeverisë kriminale.
“Dhuna është fytyra e vërtetë e qeverisë kriminale “Rama”. Danjeli që protestonte për banesën dhunohet barbarisht në furgonin e policisë së shtetit. Askush të mos ja falë Edi Ramës dhimbjen e këtij djali dhe të gjithë familjeve të Unazës së Re!”, shkruan Mehmetaj.
Top Channel