Tregu me shumicë i produkteve bujqësore për zonën e Tiranës, që zotërohet nga kompania EKMA Albania, është gjobitur nga Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Shqipërisë me 400 mijë euro, për pozicionin monopol dhe shkelje të rëndë të konkurrencës nga ana e saj. Kjo është gjoba maksimale që parashikohet nga ligji.
Vetëm vitin e shkuar, kjo kompani pati një fitim neto prej 323 milionë lekësh.
EKMA Albania ka përdorur pozicionin dominues të krijuar nga dy vendime shtetërore për të gjeneruar fitime deri në 76%. Autoriteti vendosi gjobitjen e ndërmarrjes EKMA SHPK në masën 9.99 % të xhiros së ndërmarrjes të vitit paraardhës financiar, thuhet në vendim.
Xhiroja e kompanisë, sipas bilancit zyrtar dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ishte 500 milionë lekë në vitin 2017, ndërsa gjoba rrjedhimisht është në masën 50 milionë lekë.
Tregu funksionon si një hapësirë ku merren me qira ambiente, magazina dhe vende me qëllim tregtimin e produkteve agro-ushqimore në qytetin e Tiranës. Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur disa gjoba në të shkuarën ndaj kompanive të ndryshme për shkelje flagrante të ligjit “për Mbrojtjen e Konkurrencës”. Por, një pjesë e gjobave duket se kanë ngecur në procese të gjata gjyqësore pa u ekzekutuar dot.
Autoriteti i Konkurrencës e urdhëroi kompaninë EKMA Albania që të heqë dorë nga teknikat e abuzimit, pasi konstatoi se ka përdorur pozitën e saj dominuese në këtë treg për të vendosur çmime të larta për qiranë, energjinë dhe ujin për tregtarët e ketij tregu.
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, për tregtarët e shumicës nuk ka një alternativë tjetër për të tregtuar produktet e tyre. Kjo më pas përkthehet në çmime të larta edhe për konsumatorët, të diktuara pikërisht nga tregu monopol.
Top Channel