Fondacioni i filantropistit miliarder amerikan, George Soros, ka njoftuar fundin e funksionimit të tij në Turqi. I njohur ndryshe si Fondacioni për Shoqëri të Hapur, ai dha lajmin me argumentin se, “pretendime të pabaza” në lidhje me punën e tij janë bërë nëpër mediet turke, duke e bërë të pamundur vazhdimin e operimit.
Lëvizja e fundit vjen gjithashtu pasi presidenti Recep Tayyip Erdogan është shprehur se Sorosi po përpiqet të përçajë dhe shkatërrojë kombe. Ai e lidhi Sorosin pikërisht me protestat antiqeveritare të vitit 2013, në sheshin “Gezi Park” të Stambollit.
Në një fjalim të javës së kaluar, Erdogani, në mesin e komenteve të kritikuara si antisemite theksoi arrestimin e 13 personave gjatë kohëve të fundit në lidhje me protestat në “Gezi”. Ata akuzohen se kanë mbështetur aktivistin e burgosur, Osman Kavala, në një përpjekje për të rrëzuar qeverinë përmes protestave masive.
“Personi që ka financuar terroristët gjatë incidenteve në Gezi është aktualisht në burg”, tha Erdogan gjatë një takimi me zyrtarë lokalë. “Gjejeni, kush fshihet pas tij? Më i famshmi hebre hungarez, Soros. Pikërisht ky njeri që ngarkon njerëz me misione për të përçarë kombet dhe për t’i shkatërruar ato. Ai ka aq shumë parà, saqë nuk di nga t’i shpenzojë, e zgjedh pikërisht këto metoda”.
Fondacioni për Shoqëri të Hapur reagoi duke thënë se kishte nisur aplikimin për likuidim ligjor dhe ndalimin e operacioneve të veta në Turqi, sa më shpejt që të jetë e mundur. Sipas tij, “hetimet e reja” po përpiqeshin të lidhnin fondacionin vet me protestat në Gezi. Por “këto përpjekje nuk janë të reja dhe janë totalisht jashtë realitetit”, thuhet më tej.
Fondacioni Soros tha gjithashtu me këmbëngulje se kishte funksionuar në Turqi në përputhje me të gjitha ligjet e vendit.
Top Channel