Presidenti francez, Emmanuel Macron i krahasoi pamjet e trazirave në “Champs Elysees”, gjatë fundjavës, me “skena lufte” gjatë kësaj të hëne, ditë në të cilën dhjetëra protestues dolën para gjyqit mbi dhunën e shkaktuar.
Barrikadave iu vu zjarri, vitrinat e dyqaneve luksoze u thyen, ndërsa semaforët u shkulën nga vendi në pjesë të tëra të sheshit të famshëm të Parisit, gjatë së shtunës, teksa grupe të dhunshme u infiltruan mes protestuesve të shumtë antiqeveritarë në demonstratat që u shtrinë në mbarë kombin.
Policia hodhi mbi 5.000 granata gazi lotsjellës, mesatarisht më shumë se një të tillë në 1 minutë, në bulevardin më të famshëm të kryeqytetit francez, ndërsa zjarrfikësit shuan mbi 100 vatra zjarri, duke çuar në atë që imazhet “spektakolare” të përfundonin edhe në mediet ndërkombëtare dhe në rrjetet sociale.
“Askush nuk duhet të nënvlerësojë tronditjen e shkaktuar popullit, në Francë dhe jashtë saj, pas shikimit nëpër medie të atyre pamjeve që i ngjanin skenave të luftës”, është cituar Macron t’u ketë thënë pjesëtarëve të kabinetit të tij.
Presidenti, i cili pritet të mbajë një fjalim para kombit të martën, kritikoi gjithashtu zyrtarët e zgjedhur dhe opinionistët për mbrojtjen që u bënë “vandalëve” që orkestruan dhunën e së shtunës.
Shumica e figurave më të larta opozitare në Francë, veçanërisht udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen, ka inkurajuar protestuesit antiqeveritarë, të cilët kanë “pushtuar” thuajse mbarë Francën përgjatë 9 ditëve të fundit.
Top Channel