“Brexit”, May nis kapitullin më të vështirë: Vota mbahet më 11 dhjetor

26/11/2018 19:56

Kryeministrja britanike u përball me zemërimin e parlamentarëve të saj gjatë së hënës, teksa nisi detyrën e vështirë për të bindur ligjvënësit kryengritës të mbështesin divorcin e saj me Bashkimin Europian.

Udhëheqësja britanike kurorëzoi me sukses afro dy vite bisedimesh të dhimbshme me Brukselin, që kërcënuan shpeshherë të dështonin, duke nënshkruar paktin për kushtet e “Brexit”-it gjatë së dielës me 27 krerët e vendeve të tjera anëtare të BE-së.

Megjithatë, tani fillon kapitulli më i vështirë për të, pasi në të vërtetë, pjesa më e vështirë rezultoi të ishte më e lehtë nga sa dukej.

May duhet të kalojë tashmë marrëveshjen përmes një Dhome të përçarë Komunësh, në të cilën ajo ka një shumicë tejet të lehtë sa për të funksionuar, por ku tashmë ka ligjvënës nga të gjitha kahet që e kundërshtojnë atë.

May njoftoi se vota për marrëveshjen në Parlamentin britanik do të mbahet më 11 dhjetor. Por, shefi i Partisë Laburiste në opozitë, Jeremy Corbyn e quajti marrëveshjen e shkëputjes dhe deklaratën shoqëruese politike mbi marrëdhëniet e ardhshme “një akt vetëdëmtimi kombëtar”.

“Për të mirën e Kombit, kjo Dhomë ka shumë pak mundësi zgjedhjesh: ta refuzojë këtë marrëveshje”, tha ai.

Gjithsesi, May duhet të jetë më shumë e shqetësuar nga rritja e pakënaqësisë dhe e një kori gjithnjë e më të zhurmshëm të deputetëve të saj brenda Partisë Konservatore. Ish-besniku i Mayt, Michael Fallon tha se qeveria po i kërkonte Parlamentit të “vendoste një bast të vështirë” dhe të “dorëzonte votën tonë në BE dhe veton, pa asnjë angazhim të përcaktuar për tregti të lirë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA