Presidenti i Koresë së Jugut ka publikuar fotot e para të këlyshëve të lindur nga një prej qenve që i dhuroi lideri koreanoverior Kim Jong-un, si dhuratë paqeje.
Kim Jong-un i dërgoi dy qen homologut të tij jugor, në përpjekje për të promovuar paqen në kuadër të ngrohjes së marrëdhënieve në Gadishullin Korean. Gomi, një qen gjuetie i racës pungsan, solli në jetë tre këlyshë femra dhe tre meshkuj. Presidenti Moon postoi fotot e qenushëve në Twitter, të dielën.
“Duke qenë se periudha e shtatzënisë tek qentë është rreth dy muaj, Gomi mund të ketë ardhur tek ne shtatzënë. Unë shpresoj që edhe marrëdhëniet ndërkoreane do të jenë të tilla”, shkruante ai.
Pak ditë pas lindjes së këlyshëve, Koreja e Jugut dërgoi avionë ushtarakë të mbushur me mandarina në Penian. Koreja e Veriut më herët kish dërguar kërpudha pishe përtej kufirit pas një samiti mes dy liderëve.
Gomi dhe qeni tjetër, Songgang, erdhën në Korenë e Jugut bashkë me disa kg ushqim dhe iu bashkuan kafshëve të tjera të Presidentit Moon, mes të cilëve edhe qenit të shpëtimit Tory.
Moon është takuar tre herë me Kim Jong-un këtë vit dhe ka shërbyer si ndërmjetësues mes tij dhe Presidentit amerikan, Donald Trump.
Top Channel