Marrëveshja për “Brexit” miratohet nga krerët e BE-së në Bruksel

25/11/2018 10:58

Plot 18 muaj pas nisjes së negociatave, krerët e Bashkimit Europian kanë mundur të miratojnë, pas një konsensusi që mori më pak se një orë diskutimi, draft marrëveshjen e arritur mes negociatorëve europianë dhe atyre britanikë.

Përpara këtij hapi, Theresa May i kërkoi publikut deri edhe në lutje, përmes një letre të shkruar, mbështetje për marrëveshjen e saj të “Brexit”-it. Kryeministrja britanike ka thënë se marrëveshja e saj premton një “të ardhme të ndritur” për Britaninë, ndërkohë që dita e shkëputjes nga BE-ja vitin e ardhshëm do të jetë “një moment ripërtëritjeje dhe ripajtimi për të gjithë vendin tonë”.

Udhëheqësit e BE-së u mblodhën në Bruksel këtë të dielë, për një samit në të cilin do të vendosej miratimi ose jo i draftmarrëveshjes së arritur. Shefi i Këshillit Europian, Donald Tusk rekomandoi një ditë më parë që të gjitha vendet ta miratonin. Edhe Spanja, e cila kishte kërcënuar me bojkot të samitit, mori pjesë, pasi mosmarrëveshja e minutës së fundit mbi Gjibraltarin u zgjidh gjatë së shtunës.

Tashmë që BE-ja miratoi marrëveshjen, ajo duhet të kalojë përmes Parlamentit britanik, aty ku shumë deputetë, përfshi edhe nga Partia Konservatore e kryeministres May, kanë theksuar se do të votojnë kundër saj.

Në “letrën drejtuar kombit” të Mayt, të publikuar në prag të samitit në Bruksel, kryeministrja pretendonte se marrëveshja është “në interesin tonë kombëtar” dhe se është në favor të të gjitha pjesëve të Mbretërisë së Bashkuar.

“Shkëputja nga BE-ja më 29 mars 2019 do të shënojë një kapitull të ri në jetën tonë kombëtare. Ajo do të shënojë momentin kur ne do t’i lëmë mënjanë etiketimet ‘Leave’ dhe ‘Remain’ (referuar atyre që duan largimin dhe atyre që duan qëndrimin në BE) për të mirën tonë dhe të ribashkohemi sërish si një popull i vetëm. Për ta bërë këtë gjë, ne duhet të përballemi me Brexit-in tani, duke u hedhur në mbështjetje të kësaj marrëveshjeje”, shkruan May.

Krerët e BE-së dhanë fjalën e tyre për miratimin e dy dokumenteve kyçe mbi “Brexit”-in: Deklarata politike, që përcakton sesi do të jetë marrëdhënia Britani-BE pas “Brexit”-it, e duke nënvizuar sesi do të funksionojnë aspektet tregtare dhe të sigurisë; si dhe Marrëveshja e Shkëputjes nga BE-ja, një dokument prej 585 faqesh ligjërisht detyrues, që përcakton kushtet e daljes së Britanisë nga BE-ja.

Në këtë të fundit është edhe “fatura e divorcit” prej 39 miliardë paund, sikurse edhe të drejtat e qytetarëve dhe “asistenca” në Irlandën e Veriut, një zgjidhje për të mbajtur hapur kufirin me Republikën e Irlandës, nëse bisedimet për tregtinë ngecin.

Mayt do t’i duhet ta miratojë atë edhe në Parlamentin britanik, ku votimi pritet gjatë muajit dhjetor. Atje, në fakt, laburistët, demokratët liberalë, SNP dhe DUP kanë thënë se do ta refuzojnë marrëveshjen, sikurse edhe shumë deputetë konservatorë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA