Ai që nisi si tubim paqësor i dhjetëra mijëra njerëzve të mbledhur në Paris për të protestuar kundër rritjes së çmimit të naftës, ka degjeneruar shpejt në dhunë.
Demonstruesit janë përleshur me policinë që u përgjigj me gaz lotsjellës e pompa uji. Përplasjet shpërthyen në Champs-Elysées, në kohën kur tubuesit tentuan të thyejnë kordonët e forcave të rendit, që rrethojnë zona kyçe në qendrën e qytetit. Turma kishte tentuar të mësynte disa institucione të rëndësishme, përfshirë rezidencën zyrtare të kryeministrit.
3 mijë policë janë mobilizuar për frenimin e turmës së përbërë nga dhjetëra mijëra “jelekë të verdhë”. Organizatorët thonë se protestat e fundit janë “faza e dytë” e fushatës së tyre mbarëkombëtare.
Disa prej demonstruesve kanë shkulur gurët e kalldrëmit për të goditur forcat e rendit, e kanë lëshuar drejt tyre edhe fishekzjarre, ndërsa kërkonin me të madhe dorëheqjen e presidentit Emanuel Macron.
Ministri i Brendshëm, Christophe Castaner i akuzoi tubuesit se janë të influencuar nga liderja e partisë së ekstremit të djathtë Fronti Nacional, Marine le Pen. Por ajo iu përgjigj përmes Twitterit, duke e akuzuar për pandershmëri. Sipas raporteve, në kryeqytetin francez mund të jenë mbledhur 30.000 vetë.
Më herët, një person me granatë në duar kërkoi që protestuesve t’ju mundësohej një takim me Macronin. Ai iu dorëzua policisë pas disa orësh negociata.
Top Channel