Amazona po shpyllëzohet, shifra alarmante të shkatërrimit të pyjeve në një vit

24/11/2018 18:04

Amazona po kalon periudhën më të rëndë të shpyllëzimit të saj në më shumë se një dekadë. Ritmet e fenomenet janë shqetësuese; një siperfaqe prej gati 7,900 km katrorë të rajonit më të madh pyjor të globit, është shkatërruar në periudhën gusht 2017-korrik2018.

Zona është pesë herë më e madhe sesa e gjithë Londra. Ministri brazilian i mjedisit, Edson Duarte ia faturon fajin prerjes së paligjshme të drurëve. Shifrat alarmante publikohen në një kohë kur shqetësimet kanë rrethuar politikat e presidentit të porsazgjedhur të Brazilit, Jair Bolsonaro.

Ky i fundit premtoi gjatë fushatës një kufizim të taksave për dëmtimin e pyjeve dhe dobësimin e influencës së agjencisë mjedisore të vendit. Burime pranë kreut të shtetit pohojnë gjithashtu se ai ka ndërmend të shkrijë edhe ministrinë e Bujqësisë me atë të mjedisit, një lëvizje kjo që për kritikët nuk do të bëjë gjë tjetër veçse t’i rrezikojë zonat pyjore akoma edhe më shumë.

Rajoni i Amazonës ka pyjet më të mëdha tropikale të globit dhe strehon një shumëllojshmëri aq të madhe speciesh, sa shkencëtarët thonë se ende nuk kanë arritur t`i zbulojnë të gjitha. Pjesë dërrmuese e miliona hektarëve të tij janë brenda Brazilit, ku sipas ligjeve në fuqi, që prej 1965-ës, pronarët e tokave kanë detyrimin ta mbajnë të pyllëzuar një përqindje të pronës së vet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA