Produktet e “Dolce & Gabbana” janë tërhequr nga faqet kineze të shitjeve “online”, pas një vale polemikash që shpërtheu si pasojë e një fushate reklamash të saj.
Kompania postoi këtë javë një video, ku shfaqej një modele kineze që stërmundohej të hante makarona dhe pica me shkopinj. Fushata u akuzua se tallej me kulturën kineze dhe se promovonte stereotipe të pahijshme.
Polemikat rrezikojnë të nxjerrin “Dolce & Gabbana” nga një prej tregjeve më të mëdha luksoze të botës.
“Komente të papërshtatshme që fyejnë Kinën nga i ashtuquajturi stilist i famshëm i një marke të famshme, na kanë shqetësuar shumë”, tha një protestues.
Personalitete të shumta kineze kanë kërkuar një bojkot të markës. Kriza u thellua edhe më shumë, kur mesazhe që duket se ishin shkruar nga njëri prej bashkëthemeluesve, Stefano Gabbana, që mbanin komente fyese për kinezët, u bënë virale.
Sidoqoftë, kompania kërkoi ndjesë, por tha se llogaritë e Gabbanës në Instagram ishin piratuar. “Ne nuk kemi asgjë tjetër veçse respekt për Kinën dhe popullin kinez”, shkruhej në një mesazh të kompanisë.
Kjo e fundit anuloi një sfilatë të planifikuar në Shangai më herët këtë javë. Por polemikat vazhdojnë, pasi tregtarët në Kinë janë tërhequr nga marka. Të premten, produktet e “Dolce & Gabbana” nuk ishin më të disponueshme në faqet kryesore të shitjeve “online” në Kinë, si “Taobao” dhe “JD.com”, por edhe në platforma më të vogla.
Top Channel