Ujërat e paeksploruara të Shqipërisë janë bërë një atraksion për gjuetarët e thesareve që kërkojnë objekte të lashta, pjesë anijesh të mbytura dhe relike të tjera, që janë varrosur në fund të detit prej shekujsh.
Agjencia franceze e lajmeve “AFP” është ndalur këtu, duke sjellë një histori interesante.
Bregdeti 450 kilometra i gjatë, që laget nga deti Adriatik dhe deti Jon, – thekson AFP, – ka qenë i paarritshëm gjatë regjimit komunist, por sot ujërat janë të hapura, duke joshur arkeologë, por edhe grabitës thesaresh, të etur për të eksploruar territore të reja dhe për të shitur ato çfarë gjejnë në tregjet e zeza.
“Pjesa më e madhe e kësaj pasurie gjendet në thellësinë 20-30 metra dhe është lehtësisht e arritshme, pa ndihmën e pajisjeve të posaçme, e ajo pothuajse është zhdukur pa asnjë gjurmë. Nevojiten masa urgjente për të mbrojtur pasurinë e nënujshme”, tha Neritan Ceka, arkeolog.
Ekspedita të kryera që nga viti 2006 kanë zbuluar rreth 40 anije të mbytura në brigjet shqiptare, përfshirë mjete që i përkasin shekullit të VII dhe ato të Luftës së Parë dhe së Dytë Botërore. Qindra amfora të epokës romake janë zbuluar po ashtu në fund të detit, të mbuluara nga bimë marine.
“E sigurtë është që një gjueti thesaresh nën det sjell fitime të mëdha”, tha Moikom Zeqo, arkeolog.
Vazot mund të shiten për rreth 100 euro në Shqipëri dhe shihen në disa restorante luksoze, apo dalin në ankande për shuma më të mëdha në Londër dhe kryeqytete të tjera të artit.
Ka nga ato që kanë përfunduar në muze private në vende të ndryshme të botës, si kambana e anijes fatkeqe austro-hungareze “SS Linz”, që u mbyt në brigjet e Shqipërisë me 1.000 pasagjerë në bord, pasi u ndesh me një minë në mars të vitit 1918.
Ka edhe nga ata zhytës që kërkojnë të zhveshin anijet e shekullit të XX për shkak të çelikut të tyre të cilësisë së lartë. Çeliku i prodhuar para shpërthimeve bërthamore në botë është veçanërisht joshës, pasi nuk ka gjurmë radioaktiviteti dhe mund të përdoret për mjete delikate mjekësore dhe pajisje të tjera shkencore.
Në qershor, autoritetet miratuan një ligj që i klasifikon anijet e mbytura si “monumente kulture” dhe që kërkon licenca strikte për zhytësit. Një ëndërr e ndarë nga ekspertët shqiptarë dhe të huaj është ajo e një Muzeu nënujor, si ajo që ekziston në qytetin turk Bodrum, që mund të mbrojë artefaktet dhe të tërheqë turistë, por kjo duket e vështirë.
“Shqipëria nuk e ka pasur asnjëherë luksin apo ndërgjegjësimin të kuptojë rëndësinë e madhe që kjo pasuri përfaqëson për historinë e vendit dhe civilizimin mesdhetar”, tha Auron Tare.
Top Channel