Një premtim të rëndësishëm ka dhënë ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri gjatë diskutimeve për buxhetin në Komisionin e Ekonomisë.

Ai tha se autostrada Tiranë-Elbasan do të përfundojë sipas të gjitha standarteve brenda pranverës së vitit 2019.

“Në fund të shtatorit, Parlamenti aprovoi kredinë për këtë rrugë. Në tetor ka nisur me ritme të kënaqshme. Afati është dhjetori, por mund të ketë edhe shtyrje disa mujore, sepse kjo varet edhe nga kushtet atmosferike. Si përfundim i veprës mund të them se do të jetë pranvera e vitit të ardhshëm”, deklaroi Gjiknuri.

Ministri preku edhe investimet në sektorë strategjikë, siç janë energjia dhe rrjeti hekurudhor, duke thënë se prioritet do të jetë infrastruktura në portin e Durrësit dhe të gjitha akset që të drejtojnë aty.

“Shqipërisë i duhet të balancojë nevojat për energji. Ne duhet që të bëjmë politika të kujdesshme që ta mbajmë nën kontroll. Ky sektor deri tani është menaxhuar me kujdes. Humbja e energjisë në rrjet është reduktuar. Paraardhësit e mi kanë bërë kontrata disa vjeçare. Ne besojmë vitin tjetër do të fillojmë investimet në rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës. Për transportin e mallrave do t’i japim rëndësi, sidomos portit të Durrësit. Ne po bëjmë studime fizibiliteti për hekurudhën mes Greqisë dhe Maqedonisë”, tha Gjiknuri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA