Greqia do të udhëheqë Shkollën europiane të Spiunazhit. Bëhet fjalë për një projekt ambicioz, me të cilin kanë rënë dakord ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes së Bashkimit Europian.

Sipas projektit, në të cilin do të marrë pjesë edhe Qipro, që bëhet në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë dhe inteligjencës së NATO-s dhe BE-së, është vendosur që Greqia do të trajnojë drejtuesit e shërbimeve të informacionit të vendeve anëtare.

Gjithashtu, Athina do të ndërmarrë edhe implementimin e një progami të dytë, që ka të bëjë me operacionet e trajnimit të ekuipazheve të helikopterëve që operojnë në lartësi të mëdha, ndërsa do të ketë rol kryesor në një projekt tjetër për të krijuar forcat speciale, që do të jenë në gjendje të marrin pjesë në operacione të vogla të përbashkëta.

Projekti konsiderohet një hap i rëndësishëm për shërbimet informative të BE-së dhe është pjesë e marrëveshjes së “PESCO”-s (Bashkëpunimi i Përhershëm Strukturor në BE) për një operim më të afërt ushtarak dhe operacional të shteteve anëtare.

Sipas “Politiko”, ajo që ka shkaktuar “surprizë” në propozimin që Greqia të udhëheqë dhe zbatojë projektin dhe të ketë ndihmën e Qipros, është fakti që janë zgjedhur dy anëtarë të BE-së që kanë marrëdhëniet më të përafërta me Moskën.

Në kuadër të marrëveshjes së miratuar nga ministrat e Mbrojtjes në Bruksel, Gjermania do të marrë një program për të ndërtuar “drone”; Estonia do të fokusohet në kibernetikë; Italia në ndërtimin e një avioni që do të sigurojë monitorim të vazhdueshëm nga ajri.

Gjithashtu, Çekia do të përqëndrohet në përballimin e një lufte elektronike; Franca do të udhëheqë përmirësimin e shpërndarjes së bazave ushtarake në Europë dhe jashtë saj; e bashkë me Suedinë do të marrin përsipër edhe Qendrën e Vlerësimit; ndërsa Austria ndërmerr një projekt të mbikëqyrjes nga kërcënimet kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA