Top Talk është ndalur këtë të martë në një tematikë të veçantë sikurse është gjuha fyese dhe diskriminuese që prodhohet nga politika dhe që transmetohet edhe në nivele të tjera të shoqërisë dhe që mund të quhet pa frikë edhe bullizëm politik.
Duke marrë shkas nga një reagim në FB i deputetit socialist Alket Hyseni që e etikentonte mes të tjerash ish Kryeministrin Berisha si plak autik. Për ironi deklarata i adresohet Berishës që edhe ai nga ana e tij përdor në mënyrë sistematike gjuhë plot fyerje ndaj kundërshtarëve politikë.
Por rasti i deputetit Hyseni ka një specifikë sepse prek përmes krahasimit të pavend, të papërshtatshëm, përçmues dhe denigrues, një komunitet njerëzish me aftësi të kufizuar sikurse janë personat që vuajnë nga autizmi. Për të ndarë mendimet mbi këtë çështje i ftuar në studion e Top Talk ka qenë profesori Përparim Kabo.
Për këtë të fundit deklaratat e deputetit Hyseni janë fyese jo vetëm për Berishën, por për një komunitet të gjerë njerëzish e fondacionesh, e sipas tij ai duhet të kërkojë falje publikisht.
“Nëse dëshiron të shpëtojë moralisht, duhet të kërkojë ndjesë publikisht”, u shpreh Përparim Kabo duke theksuar se nga ana tjetër Partia Socialiste duhet ta largojë nga grupi parlamentar, duke shënuar kështu një sinjal pozitiv.
Me ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor, fajtor për Kabon janë kryetarët e partive politike, sepse janë ata që opërcaktojnë se edhe kush do të jenë në listat e deputetëve.
Por, fatkeqësia sipas tij është fakti se edhe vetë ata -përdorin një gjuhë fyese, duke sjellë shembuj të deklaratave ofenduese të ish-kryeministrit dhe ish-presidentit Berisha, që i quante “Kokë palarë” protestuesit e 21 janarit, apo kryeministrit Rama që i cilëson mediat si “kazan”.
“Salla e Parlamentit, vendi me ndotjen më të madhe sa i përket banalitetit dhe fyerjes së njëri-tjetrit”, tha Përparim Kabo.
Ai ka edhe një ide se si mund të shmangen këto sjellje jo të hijshme, e jo përmes censurës dhe gjyqeve.
“Të ketë masa morale, kundër sjelljeve jo morale”, u shpreh ai.
E teksa vlerëson se niveli i komunikimit politik është më i dobët se ai shoqëror, Përparim Kabo thekson se “Ndryshojnë politikanët, jo populli”.
Top Channel