Nxitja e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes Shqipërisë dhe Kazakistanit ka qenë në fokus të vizitës së ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati në Astana. Kjo është vizita e parë e një ministri të Jashtëm në këtë vend, që përkon dhe me 25-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Në takimin me homologun kazak, Kairat Abdrakhmanov, Ministri Bushati e vuri theksin në rëndësinë e intensifikimit të marrëdhënieve ekonomiko-tregtare, përmes konkretizimit të lidhjeve në sektorë të ndryshëm të biznesit, në fushat me interes të përbashkët mes dy vendeve.
Ai e quajti premtues bashkëpunimin dypalësh për realizimin e projekteve në fushën e naftës dhe të gazit, infrastrukturës, turizmit, agro-bujqësisë dhe nënvizoi gjithashtu nevojën e nxitjes së kontakteve mes komuniteteve të biznesit të të dy vendeve, në mënyrë që të përfitohet sa më shumë nga të gjitha hapësirat e mundshme të bashkëpunimit.
Gjatë takimit, Ministri Bushati falënderoi homologun për thellimin e bashkëpunimit shumëpalësh duke rikonfirmuar angazhimin e mëtejshëm në çështjet e sigurisë, luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe sfidave e kërcënimeve të tjera transnacionale.
Në këtë kuadër, Ministri Bushati dhe homologu Abdrakhmanov diskutuan mbi bashkëpunimin në organizatat ndërkombëtare dhe forcimin e bashkëpunimit në planin shumëpalësh, përfshirë këtu dhe mbështetjen për kandidaturën e Shqipërisë për marrjen e Kryesisë së OSBE-së në 2020.
Ministri Bushati u ndal tek diaspora shqiptare e pranishme në kryeqytetin kazak Astana, për të cilët u shpreh se janë urë lidhëse dhe faktor për zhvillimin e biznesit dhe marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve. Nga ana e tij, Ministri Abdrakhmanov shprehu interesin e Kazakistanit për nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve të bashkëpunimit me Shqipërinë, sidomos në aspektin ekonomik dhe bashkarisht me Ministrin Bushati u dakordësuan për të finalizuar kuadrin ligjor, i cili do të lehtësojë bashkëpunimin në këtë drejtim. Gjatë kësaj vizite, Ministri Bushati shoqërohej edhe nga një grup biznesmenësh shqiptarë.
Në fund të takimit nënshkruan edhe dy marrëveshje, Protokolli i Bashkëpunimit ndërmjet dy Ministrive të Jashtme dhe protokolli i bashkëpunimit ndërmjet dy Dhomave të Tregtisë.
Top Channel