Kur kanë kaluar katër muaj pas disfatës së pësuar në gjysmëfinalen e kampionatit të fundit botëror, Anglia do të përballet sërish me përfaqësuesen e Kroacisë, në takimin përmbyllës të Ligës së Kombeve, përsa i përket fazës së grupeve.

Sfida do të zhvillohet në stadiumin mitik “Wembley”, në Londër, në orën 15:00, dhe është e vlefshme për Grupin 4 të Divizionit A, grup ku bën pjesë edhe Spanja, e cila ia ka luajtur të katër takimet e saj.

Ekipi i Luis Enriques kryeson renditjen me 6 pikë, por llogaritë janë shumë të qarta, pasi kombëtarja që fiton duelin londinez do të kualifikohet mes katër më të mirave në divizionin e parë dhe më të rëndësishmin në Kontinentin e Vjetër, ndërsa kombëtarja që humbet, zbret një kategori më poshtë në Ligën B.

Gjërat nuk filluan mirë për nënkampionët e botës në aventurën e tyre në Nations League, megjithatë triumfi i jashtëzakonshëm që Kroacia siguroi të enjten në mbrëmje në Zagreb ndaj Spanjës, përmbysi plotësisht situatën dhe tani në këtë grup, befas Kroacia dhe Anglia janë në kuotën e katër pikëve, kështu që shpresa e vetme për ekipin e Luis Enriques, për të kaluar në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë, është që ky takim të përfundojë në barazim.

Skuadra e Gareth Southgate paraqitet e çlodhur, pasi ditën e enjte “Tre Luanët” fituan takimin miqësor me Shtetet e Bashkuara, sfidë ku u tërhoq përfundimisht nga kombëtarja golashënuesi më i mirë në histori, Wayne Rooney. Në krahun tjetër, trajneri Zlatko Dalic nuk është se ka shumë alternativa, për më tepër që në Londër do të mungojë një ndër futbollistët më të mirë kroatë, mesfushori i Barcelonës, Ivan Rakitiç.

Megjithatë Kroacia nuk është një ekip për t’u nënvlerësuar, madje vendasit kanë kujtime të tmerrshme me një kundërshtar të tillë, sepse 11 vjet më pare, kur Anglia drejtohej nga Steve McCLaren, u eliminua nga faza finale e Euro 2008 nga Kroacia e trajnerit Slaven Bilic, që fitoi brenda në “Wembley” me një gol të paharruar të shënuar nga sulmuesi Mladen Petric 13′ para fundit.

Duke mbetur në Ligën A, në orën 20:45, do të luhet gjithashtu edhe takimi tjetër Zvicër–Belgjikë, i vlefshëm për Grupin e Dytë të këtij divizioni. Natyrisht, është e kuptueshme që ky takim do të jetë gjithashtu përcaktues edhe për fatin e këtij grupi, pasi Belgjika kryeson në kuotën e 9 pikëve, me tre pikë më tepër se sa Zvicra.

Në Bruksel, një muaj më parë përfaqësuesja helvete u mund 2-1, pas golit të shënuar nga Lukaku 6 minuta para përfundimit, gjithsesi këtë herë Zvicrës i mjafton qoftë edhe një fitore minimale për të vazhduar më tej, në fazën e knock out-it.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA