Ligat e futbollit në të gjithë botën janë ndalur për t’u lënë vendin impenjimeve të skuadrave përfaqësuese, por Lionel Messi dhe Paul Pogba, që nuk janë grumbulluar në Kombëtaret respektive, po e shfrytëzojnë këtë periudhë për pushime.
Argjentinasi nuk është grumbulluar më me Argjentinës që pas botërorit “Rusi 2018” dhe nuk dihet nëse do të kthehet më, ndërsa Pogba nuk u grumbullua nga Deschamps, pasi vuan nga një dëmtim i pësuar në kampionatin anglez.
Të dy futbollistët janë filmuar dhe fotografuar teksa darkojnë së bashku në Dubai, vend në të cilin kanë zgjedhur të çlodhen pak, para se t’u rikthehen impenjimeve me klubet respektive, Manchester United dhe Barcelona.
Videot kanë bërë xhiron e botës, ndërsa janë shtuar edhe njëherë zërat për një largim të mundshëm të francezit nga manchester United, me destinacion pikërisht Barcelonën e kapiten Lionel Messit.
Katalanët kanë kërkuar të marrin Pogba në “Camp Nou” që në merkaton e verës, por hasën në refuzimin e United, megjithatë marrëdhënia e tensionuar e kampionit të botës me trajnerin Mourinho, ka bërë që pista e transferimit të rihapet në muajin janar.
Në Angli e thonë me siguri, se nëse Mourinho nuk shkarkohet deri në fund të vitit, atëherë do të jetë mesfushori francez ai që do të lëvizë drejt një tjetër destinacioni, që me shumë gjasa do të jetë Barcelona.
Për të bekuar këtë marrëveshje, mund të ketë shërbyer pikërisht kjo darkë mes francezit dhe kapitenit të Barcelonës, Lionel Messi, zëri i të cilit ka një peshë të madhe në vendimmarrjen e klubit katalanas.
Top Channel