Arratisja e Gruevskit, Nazarko: Implikimi i ambasadës, i rëndë. Nëse SHBA do të donte arrestimin…

16/11/2018 17:03

I ftuar në emisionin “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja, në fundin e një jave të ngarkuar me shumë zhvillime, analisti Mentor Nazarko u ndal edhe te çështja “Gruevski”.

Ish-kryeministri Gruevski, i cili monopolizoi për 10 vite politikën në Maqedoni, besohet dhe ka prova të mjaftueshme që ka kaluar nga Shqipëria në mënyrë ilegale, për t’u arratisur drejt Hungarisë.

Ky udhëtim ngre disa pyetje, së pari mbi territorin e Shqipërisë. Çfarë ndodh me të, kur një ish-kryeministër kalon në këtë mënyrë, nuk arrin të pikaset nga autoritetet ligjzbatuese?

Së dyti kemi edhe një Ambasadë të huaj të implikuar, sikundër është ajo hungareze në Tiranë, e cila e ndihmoi të kryejë këtë akt.

“Në fakt kjo e fundit është pjesa më e rëndë. Fakti që një ambasadë si ajo hungareze, automjetet e së cilës gëzojnë imunitetin diplomatik, implikohet në një skenar të tillë. Megjithatë, këtu është një problem i vogël me Shqipërinë, ndërkohë që imagjinoj që problemi më i madh do të jetë me Bashkimin Europian, sepse garantimi i së drejtës së azilit nga një shtet anëtar i BE-së e implikon të gjithë BE-në. Kjo, sepse ky njeri do të mund të gëzojë më pas lëvizje të lirë në të gjitha vendet e BE-së. Kjo është një problematikë ligjore, një sfidë për legjitimitetin e rregullave të BE-së dhe funksionimit të tyre, për dinjitetin e BE-së. Kryeministri hungarez, Orban e ka marrë përsipër këtë kosto. Unë besoj se do të ketë një sulm, apo një trajtim të kësaj çështjeje në forumet e BE-së, i cili edhe kështu siç është ka probleme me dinjitetin dhe unitetin e vet, prandaj kjo është një kokëçarje më shumë. Por, nëse do t’iu besonim teorive konspirative, të cilat nuk janë krejt të pabaza, mendoj se mund të ketë pasur edhe një lloj konsensusi të fuqive të mëdha për t’i lejuar një dalje me dinjitet, pa e çuar në burg për dy vite”, deklaroi Nazarko.

Por, ndërkohë, reagimi i Departamentit amerikan të Shtetit nuk ka qenë aq tolerant në raport me këtë ngjarje.

“Unë e quaj të pamundur që një organizim dhe ikje e tillë, me kaq etapa në kaq kufij, të ketë kaluar pa vëmendjen e askujt”, tha më tej Nazarko.

Sa i përket tezës së qeverisë maqedonase, e cila dyshon edhe për një rrëmbim të Gruevskit, Nazarko thotë se “ikja e një njeriu kaq të fuqishëm, i cili ka kontrolluar shërbimet sekrete, është shumë e vështirë”.

“Dikush po më thoshte se Shërbimi Sekret i jashtëm kontrollohet ende nga presidenti Ivanov, një aleat i Gruevskit, e thonë se ndoshta mund të jetë ai që e ka organizuar, e ka ndihmuar dhe mbështetur. Por është një operacion i lehtë. Do të ishte i vështirë nëse me të vërtetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kishin vendosmërinë për ta ndaluar atë. E konsideroj të pamundur që të mos lërë gjurmë koordinimi i një operacioni të tillë. Mendoj se arrestimi i tij do të ishte një veprim me implikime rajonale, duke vendosur precedentin e arrestimit të dikujt kaq të fuqishëm, në një vend ballkanik ku është problem qarkullimi i elitave. Në Ballkan, dikush që bëhet kryeministër apo president për një mandat, mund të rrijë edhe dy, e po qëndroi dy mund të rrijë edhe sa të dojë. Me arrestimin e Gruevskit do të ishte një paralajmërim për kryeministra dhe presidentë të tjërë”, tha Nazarko.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA