Si gjithë historitë e mashtrimeve në rokenroll, dhe ajo e Threatin është mbresëlënëse. Grupi i muzikës metal me bazë në Los Anxhelos (në fakt, është vetëm Xhered Threatin), duket sikur ka mbaruar një turne të suksesshëm në Britaninë e Madhe. Koncertet e siguruara, ndjekësit në internet dhe shitjet e biletave që përpara shfaqjes premtojnë një natë të këndshme dhe biznes të mirë nëpër bare. Por në të vërtetë, nuk ka ndodhur kështu.
Te salla “Underworld”, në Kamden (me kapacitet 500 veta), agjenti i Threatin tha se ishin shitur 25 bileta paraprakisht. Në të vërtetë u shfaqën vetëm tre persona. Në Bristol, te teatri “Exchange”, u tha se ishin shitur 180 bileta që përpara. Por publiku përbëhej vetëm nga të ftuarit e anëtarëve të bandës. Threatin u detyrua ta paguajë vetë koston e sallës. Dhe që këtu, gjërat morën rrokopujën. Një tjetër shfaqje në Belfast u anulua, bateristi dhe basisti i Threatin (i punësuar vetëm për këtë turne) ka dhënë dorëheqjen pasi mësoi që promovuesi kishte gënjyer për shitjen e biletave dhe se ndjekësit në Facebook ishin në fakt llogari të rreme, nga Brazili.
Gërmime të mëtejshme treguan se për vetë artistin ka pak gjëra të besueshme. Faqja e bandës së tij, bashkë me emrin e menaxherit, kompanisë dhe agjentin, të gjith ishin të regjistruara nën të njëjtin emër në vitin 2016. Dy vlerësimet pozitive të faqes që mund të shiheshin në internet i përkisnin dy faqeve të lajmeve, të ngritura në tre ditët e fundit.
Kjo histori mund të shihet si një pasqyrim i kohëve tona. Një ekip i rremë që i përket kësaj epoke lajmesh të rreme. Por bandat e rreme kanë qenë pjesë e gjatë e industrisë së muzikës. Nocioni i autenticitetit është një çështje e paqartë.
Pas shumë bandave muzikore të suksesshme fshihet një agjent i shkëlqyer muzikor. Mendjet krijuese të Spice Girls kishin Bob dhe Chris Herbert. Më pas i humbën, ua mori Simon Fuller. Malcolm McLaren është ai që vazhdoi suksesin e Sex Pistols. Pa përmendur pop-staret që vinin nga X-Factor, American Idol dhe The Voice.
Në vitin 1974 ndodhi një rast i ngjashëm, me turneun e rremë të Fleetwood Mac, kur menaxheri i grupit muzikor, Clifford Davis, tha që në fakt ai ishte pronari i kompanisë, dhe dërgoi një tjetër grup në turne, në vend të atyre që u takonte. E gjithë ngjarja u pasua nga një rrëmujë ligjore.
Sigurisht që ka pasur dhe raste të tjera me dyshime nëse grupi muzikor ka qenë i vërteti apo ndonjë që vinte sa për mbulim. Si rasti kur Mick Hucknall zëvendësoi Rod Stjuartin për shfaqjet e ribashkimit. Apo kur Atomic Kitten nuk mund të quheshin të tilla pa Kerry Katonan. Një nga rastet më flagrante ka qenë kur këngëtari i “Journey”, Steve Perry, u largua nga banda dhe pjesëtarët e mbetur morën Arnel Pinedan, i cili ishte hequr si këngëtari origjinal gjatë turneut, siç u pikas nga një artist filipinas. Dhe të gjitha këto ngrenë një pyetje të thjeshtë: a ka rëndësi nëse muzika është e mirë dhe të gjithë po kënaqen?
Rasti i Threatin nuk është kaq dashamirës. Sallat e koncerteve humbën para, grupet dytësore u mashtruan. Por për vetë Threatin kjo katastrofë mund të shihet si një reklamë e mirë. Fundja, ai ishte i panjohur e tani po del në faqet e para të gazetave. Në vitet e fundit, këngët e tij në youtube kishin vetëm nga pak mijëra klikime. Tani ka shumë dashamirës muzike që ia dinë emrin. Dhe nuk jetojnë të gjithë në Brazil.
Top Channel