Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, John Bolton është zotuar gjatë kësaj të marte ta “shtrydhë” Iranin deri në pikën sa “t’i thyhet bërthama”, vetëm një javë pas hyrjes në fuqi të një raundi të ri sanksionesh të ashpra.
Presidenti Donald Trump ka rritur në mënyrë dramatike presionin ndaj Teheranit, duke u tërhequr nga marrëveshja me ndërkombëtarët që synonte t’i jepte fund programit të tij bërthamor, e duke vendosur një sërë raundesh me sanksione të njëanshme amerikane.
Gama e fundit e masave është përkufizuar si më e ashpra deri më tani, e cila synon të reduktojë në mënyrë domethënëse eksportet jetike të naftës iraniane, e sigurisht edhe të ndërpresë lidhjet e bankave të Republikës Islamike me rrjetin ndërkombëtar financiar.
Duke folur në Singapor përpara një samiti, Bolton tha:
“Mendojmë se qeveria është nën presion real dhe sigurisht, është qëllimi ynë t’i shtrydhim ata shumë fort. E siç e thonë britanikët, t’i shtrydhim ata derisa t’u kërcasë bërthama. Gjithashtu ne do të vazhdojmë të rrisim bindshëm sanksionet, e jo vetëm kaq, por edhe të sigurohemi për zbatimin e tyre”.
Sanksionet janë kundërshtuar nga palët e tjera të marrëveshjes së vitit 2015, që synonte t’i jepte fund drejtimit bërthamor të Iranit, si Britania, Franca, Gjermania, Kina dhe Rusia, vende këto që janë zotuar të mbajnë gjallë akordin. Ndërkohë, inspektorët e Kombeve të Bashkuara thonë se Irani po i përmbahet kushteve të marrëveshjes.
Uashingtoni ka kërkuar që Irani t’u japë fund politikave që i kanë rrënjët nga revolucioni islamik i vitit 1979, përfshi edhe mbështetjen e tij për grupe të caktuara të përfshira në luftrat rajonale, siç është lëvizja libanese Hezbollah, por edhe zhvillimit të raketave.
E vetmja mbështetje për pozicionin e Shteteve të Bashkuara ka ardhur nga rivalët më të mëdhenj rajonalë të Iranit, si Arabia Saudite dhe Izraeli. Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon ndërkohë se sanksionet do t’i shkaktojnë ekonomisë së Iranit një kontraktim prej 1.5 për qind këtë vit dhe 3.6 për qind vitin e ardhshëm.
Top Channel