Panairi i 21-të i Librit “Tirana 2018” çel siparin e aktiviteteve të mërkurën, më datë 14 nëntor, me ceremoninë e hapjes së këtij edicioni.

Menjëherë më pas, do të vizitohen pavijonet e Panairit të Librit. Shoqata e botuesve shqiptarë ka bërë publik edhe kalendarin e aktiviteteve që do të zhvillohen përgjatë pesë ditëve (14-18 nëntor) të Panairit të Librit.

Çdo ditë është e mbushur me aktivitete në stendat e Shtëpive Botuese, ku vihet re një vëmendje kushtuar librit për fëmijë dhe vogëlushëve.

Një ditë më pas, të enjten, 15 nëntor, Shoqata e Botuesve Shqiptarë do të organizojë konferencën “Sfidat e leximit sot! Çfarë lexojnë të rinjtë në Shqipëri?”, në një panel diskutimi me botues, shkrimtarë, përfaqësues të institucioneve të kulturës dhe arsimit, mësues, punonjës të bibliotekave, përkthyes etj., për të shkëmbyer mendime rreth promovimit të leximit dhe edukimit të lexuesve, fëmijë dhe të rinj.

Diskutojnë botuesi Petrit Ymeri për “Sa lexojnë të rinjtë? Motivet për lexim dhe moslexim! Përgjegjësia e botuesit për të sjellë letërsinë më të mirë për fëmijë shqip”, për të vijuar me shkrimtaren Ledia Nushi, e cila do të referojë rreth letërsisë origjinale midis të vërtetave, mesazheve edukuese dhe forcës emocionuese.

Mimoza Hysa, Piro Misha, Luiza Mustafaj, Adriatike Lami, Rezarta Reso, e Agim Dostani janë emrat e tjerë të cilët do të referojnë lidhur me sfidat e leximit sot.

Ndërkohë më pas do të ketë aktivitete të ndryshme prezantuese dhe dskutime me shkrimtarë e përkthyes, veprat e të cilëve do të jenë pjesë e panairit, ndërsa të shtunën më datë 17 Nëntor, ora 12:00, do të organizohet edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve të Panairit të Librit “Tirana 2018”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA