“Unë gjykoj se Ilir Meta është më i fortë politikisht sesa kompetencat e tij. Ai është një personalitet i fortë politik, e në këtë kuptim, posti i presidentit i rri ngushtë. Unë besoj se Ilir Meta ka qenë dhe mbetet një alternativë politike”. Kështu do të shprehej i ftuari i kësaj të premteje në studion e emisionit “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja, drejtori i Gazetës Mapo, Ervis Iliazaj.
I pyetur nga gazetari Dyrnjaja se, çfarë do të thotë një refuzim i dytë i presidentit Meta ndaj kandidaturës së Sandër Lleshajt, ndoshta një thyerje mes raporteve Meta-Rama… Iliazaj e vijoi kështu përgjigjen e tij.
“Ilir Meta, me historinë dhe lidershipin e tij politik, i duhet jetës publike më shumë si opozitar sesa si president. Me të gjitha këto veçori, ai mund t’i bëjë më shumë punë jetës publike si kundërshtar i qeverisë. Nuk mund të them nëse është president opozitar apo jo, por them se duhet të zgjedhë: o të jetë president, o të jetë kundërshtar i qeverisë. Si kundërshtar i qeverisë, për mua është më i rëndësishëm. Edi Rama dhe qeveria e tij ndoshta meritojnë të kritikohen, e pse jo të rrëzohen për disa çështje, por kjo nuk mund të bëhet nga pozitat e presidentit. Kjo është kundër logjikës së demokracisë dhe kundër logjikës së rendit kushtetues në Shqipëri. Ndoshta Partia Socialiste mendoi se duke e zgjedhur President të Republikës, do ta neutralizonte politikisht Ilir Metën, por nuk ndodhi kështu, sepse ai vazhdon të jetë figurë politike e fortë”.
Fundjavës i paraprinë zhvillime të reja, pikërisht kur po bëhët gati një javë kur Presidenti i Republikës refuzoi të dekretonte Sandër Lleshajn si ministër të Punëve të Brendshme. Kryeminsitri Rama vijon të mbetet i vendosur që Lleshaj është personi i përshtatshëm, e do ta ridërgojë emrin e tij në Presidencë për të marrë pëlqimin e Ilir Metës, që të firmosë dekretin që e shndërron zv.ministrin aktual në ministër të Punëve të Brendshme.
Por, presidenti deri më tani nuk ka lënë shenja se ka ndryshuar qëndrim. Madje, në reagimin e tij të fundit, Meta thotë se amatorët duhet të lexojnë Kushtetutën dhe të mësojnë kompetencat e presidentit. “Më lini të bëj detyrën”, thotë kryetari i Shtetit në reagimin e tij.
Ndërkohë, Sandër Lleshaj bëri edhe daljen e tij të parë publike pak më parë, në lidhje me një reagim për manifestimin provokues që zhvilluan dje në Bularat të Gjirokastrës, një grup ekstremistësh që morën pjesë në varrimin e Kostandinos Kacifas, të riut që shtiu me armë ndaj policisë shqiptare dhe mbeti i vrarë.
I ftuari në studion e emisionit “Top Talk”, Ervis Iliazaj foli edhe mbi këto çështje.
“Ripropozimin e Sandër Lleshajt nga ana e kryeministrit e quaj si një bindje të tij se i plotëson të gjitha kriteret kushtetuese për të qenë ministër i Rendit. Këtë herë do ta paraqesë me një relacion të detajuar, ndoshta me informacione e të dhëna për t’i rrëzuar çdo alibi Presidentit të Republikës, i cili nga ana e tij nuk ka dhënë deri tani asnjë argument kushtetues përse e ka refuzuar kandidaturën e Lleshajt. Fakti që nuk i krijon bindjen presidentit për t’i dhënë besimin kësaj kandidature, unë nuk e konsideroj si një argument kushtetues, por personal”, është shprehur Iliazaj.
Përballë këtij fakti qëndron edhe deklarata e Metës se është i gatshëm të japë arsyet dhe informacionet në Kuvend, me dyer të mbyllura ose jo, për refuzimin. Por, “Presidenti i Republikës duhet t’i bëjë publike arsyet kur ka një refuzim të një kandidature për ministër”, tha më tej i ftuari.
A po luan Meta një blof? Iliazaj përgjigjet se në këndvështrimin e tij e sheh më shumë si një betejë politike, sesa kushtetuese, sepse në rastin e kësaj të fundit do të ishte zgjidhur pas vetëm 5 minutash takim. “Unë gjykoj se nëse Meta do t’i jepte argumente kushtetuese kryeministrit, nuk mendoj se Rama do të këmbëngulte me kandidaturën e Sandër Lleshajt.
“Le të supozojmë se presidenti i ka dhënë një përgjigje – qesharake siç e konsideron kryeministri, – Ramës në vazhdën e refuzimit. Në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese, secili flet në bindjen e tij dhe ky është problemi. Prej kësaj kalojmë në një ngërç politik e institucional, që po krijon probleme edhe për qeverisjen e vendit. Duke qenë se nuk mund të bëjmë analizë në kushtet që jemi sot, unë gjykoj që Presidenti i Republikës në një Republikë Parlamentare, nëse kandidatura për ministër i plotëson të gjitha kriteret kushtetuese, është i detyruar ta dekretojë propozimin e kryeministrit, sepse pushteti ekzekutiv në një Republikë Parlamentare i përket kryeministrit. Nëse presidenti në një Republikë Parlamentare, ka mundësinë të emërojë ose jo një ministër, atëherë ne ‘de facto’ kthehemi në një Republikë gjysmë Presidenciale të tipit francez. Nëse kandidati i plotëson kriteret kushtetuese, presidenti është i detyruar të firmosë. Por a është të qenit gjeneral një post tjetër shtetëror, kjo është çështje interpretimi dhe mund të jetë argument kushtetues i pranueshëm”, deklaroi Iliazaj.
E nëse presidenti, pas ridërgimit dhe rishqyrtimit për së dyti të kandidatit që aktualisht është zv.ministër i Brendshëm, ndryshon qëndrim dhe firmos dekretin, a do të lexohej kjo si dobësi e presidentit apo si maturi?
“Dobësi jo, por ndoshta mund ta quajmë edhe si reflektim nga ana e kryeministrit, i cili fillimisht e dërgoi thjesht si një propozim, ndërsa tani do ta shoqërojë propozimin edhe me relacion të detajuar mbi kandidaturën”, tha Ervis Iliazaj.
Ndërkohë, i pyetur nëse mos po vepron gabim Edi Rama, duke këmbëngulur me dosmodoshmëri te Sandër Lleshaj, teksa mund të çonte një kandidaturë tjetër të pranueshme edhe nga Ilir Meta, edhe nga mazhoranca, i ftuari shpjegoi:
“Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, kryeministri përcakton politikat e përgjithshme dhe ka pushtetin ekzekutiv. Për të aplikuar këto politike, është në të drejtën e tij të zgjedhë stafin e tij. Ai gjykon se me Sandër Lleshajn, politikat e tij do të zbatohen më mirë. Nuk mund t’ia heqim këtë të drejtë, nëse ai është i bindur se i plotëson kriteret kushtetuese. Një ministër nuk është asgjë tjetër, përveçse i deleguari i kryeministrit për të zbatuar politikat që kryeministri përcakton. Kur nuk ka të drejtë? Kur kandidati nuk plotëson kriteret kushtetuese. Por ne nuk dimë asnjë arsye, nuk kemi asnjë argument nëse i plotëson apo jo, e jemi në situatën e hamendësimeve”.
Në Tiranë ndodhet edhe Knut Fleckenstein, raportuesi për Shqipërinë në PE, i cili ka folur sot për këtë çështje duke thënë se, nga informacionet që ka ai, nuk ka asgjë që mund të hedhë hije dyshimi mbi kandidaturën e zotit Lleshaj për të qenë ministër i Brendshëm, por theksoi se “presidenti mund të ketë informacione, të cilat ne nuk i disponojmë”. Deri më tani, Fleckenstein la të kuptohet se Lleshaj është një kandidaturë e përshtatshme.
“Deklaratën e zotit Fleckenstein e shikoj si mbështetje e zotit Lleshaj, sepse theksoi se bazuar në informacionet që kanë ndërkombëtarët, ai është pozitiv. Kam përshtypjen se nëse kandidatura e Lleshajt nuk do të ishte e përshtatshme, ndërkombëtarët do ta ‘detyronin’ kryeministrin Rama që të paraqiste një kandidaturë tjetër. Fakti që nuk e kanë bërë do të thotë se rezulton i përshtatshëm nga informacioni i shumtë që ata kanë. Ndryshe do të bënin të kundërtën”, deklaroi Iliazaj.
Duke theksuar se, i vetmi kriter që ka Shqipëria për negociatat në vitin tjetër është “Indeksi i krimit” që do të ketë dhe Ministria e Brendshme është jetike për marrëdhëniet e vendit tonë me Bashkimin Europian, Iliazaj tha se “ndërkombëtarët kërkojnë me këmbëngulje një person që të drejtojë ‘de facto’ dhe ‘de jure’ këtë dikaster, sepse lufta ndaj krimit të organizuar është i vetmi prioritet që ka qeveria shqiptare për të bindur Europën se ne i meritojmë negociatat vitin që vjen”.
Top Channel