Një nga zonat më problematike dhe të rrezikshme, ku dhe Top Story u fokusua, është zona Porto Romano, në qytetin e Durrësit.
Këtu, Bashkia ka hartuar një plan të menaxhimit të mbetjeve, 2010-2025, por që deri tani është vetëm e printuar në letër dhe e pa zbatuar. Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, që e drejton këtë qytet prej 11 vitesh, pranon për Top Story dështimin e ndarjeve të mbetjeve në burim.
Ky venddepozitim i parrethuar i Porto Romanos, është një katastrofë mjedisore nga më të mëdha në Shqipëri. Zjarri këtu nuk shuhet 24 orë, ndërsa era që lëshohet në ajër helmon jo vetëm banorët e zonës por kundërmon deri në disa kilometra larg.
Pranë Porto Romanos, ndodhet deti, banesat e qytetarëve, si dhe një Universitet shtetëror, i quajtur “Aleksandër Moisiu”. Studentët e këtij universiteti, i cili ndodhet vetëm 200 metra larg plehrave, u ngritën në protestë. Ata kërkuan të drejtën për të jetuar, të marrin dije pa helmet toksike, që nxjerrin mbetjet në këtë zonë.
Por për Vangjush Dakon, ndërtimi i një universiteti në mes të plehrave, është një vizion zhvillimi.
“Pra nuk do të thotë që vendimi që ne kemi marrë për universitetin, ka qenë një vendim jo i drejtë. Ka qenë një vendim me koshiencë të plotë, që atje është një vend më i mirë për universitetin, për të zhvilluar gjithë qytetin e ri”, – thotë Kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako.
Top Channel