Meta dhe homologu i tij italian vizitojnë Kolegjin e “Shën Adrianit”

07/11/2018 14:34

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, së bashku me Presidentin e Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, vizitoi Kolegjin e “Shën Adrianit”, në Shën Mitër Korona, ku u pritën dhe u takuan me studentë, pedagogë dhe drejtues vendorë e fetarë të bashkësive arbëreshe.

Të dy krerët e shteteve, pas ceremonisë solemne, zhvilluan një takim kokë më kokë, ku biseduan për lidhjet e vjetra historike dhe të miqësisë, mbi partneritetin strategjik si dhe thellimin e bashkëunimit të gjithanshëm mes dy vendeve dhe popujve tanë, dhe më pas iu drejtuan të pranishmëve në sallën e teatrit të Kolegjit.

Në fjalën e tij, Presidenti Meta, me të tjerash theksoi se Shën Mitër Korona dhe Kolegji i “Shën Adrianit” është djepi i arsimit dhe kulturës arbëreshë, ku ka dhënë mësim De Rada, dhe njëri prej studentëve ka qenë Luigj Gurakuqi, figura frymëzues dhe kontribuuese të Rilindjes sonë Komëbtare dhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

“Edhe pse larg mëmëdheut të tyre, komuniteti arbëresh krijoi dhe mbajti gjallë identitetin e vet kombëtar, i cili edhe sot pas 550 vitesh ruan me dashuri e fanatizëm gjuhën, kostumet, ritet, traditat dhe besimin.

Ruajtja dhe kultivimi i identitetit kombëtar të arbëreshëve është një simbiozë unikale me integrimin e plotë të tyre me kulturën dhe shoqërinë italiane.” – vuri në duke Presidenti Meta.

“Ne u jemi mirënjohës pafundësisht arbëreshëve për kontributin e çmuar që kanë dhënë për kombin tonë: përjetësimin e figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut ndër shekuj.

Skënderbeu na bashkon të gjithëve ne shqiptarëve kudo në botë! Prandaj ne u jemi mirënjohës motrave dhe vëllezërve tanë arbëreshë që e ruajtën këtë figurë të lavdishme dhe bëmat e tij.

Komuniteti arbëresh mbetet sot ruajtësi i vetëm i gjuhës që Skënderbeu dhe bashkëluftëtarët e tij patën folur gjashtëqind vjet më parë.

Ky është një thesar i madh për kombin tonë, për Italinë dhe trashëgiminë botërore.

Është në interesin e dy popujve dhe vendeve tona të promovojmë këtë komunitet të vjetër e me vlera unikale si pjesë e pandashme e trashëgimisë historike shqiptare, italiane dhe europiane.” – u shpreh kreu i shtetit shqiptar.

Presidenti i Republikës vlerësoi Kolegjin “Shën Adrianit” me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e çmuar akademike, për promovimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës arbëreshe, duke u kthyer në një vatër të rëndësishme të ruajtjes së trashëgimisë, të edukimit e formimit të të rinjve arbëresh.

Me mirënjohje për kontributin e veçantë në forcimin e lidhjeve, veçanërisht kulturore, midis Shqipërisë dhe Italisë”.

Presidenti Meta dhe Presidenti italian Mattarella përuruan pllakatën kushtuar Heroit tonë Kombëtar, në të cilën janë gdhendur fjalët: “në 550-vjetorin e përkujtimit të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA