Donald Trump foli për një fitore të madhe në zgjedhjet e mesmandatit, edhe pse demokratët ua shkulën nga duart republikanëve kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.
Partia e tij, ndërkohë, forcoi pozitat në Senat, gjë që duket se ushqeu entuziazmin e shefit të Shtëpisë së Bardhë.
Një mazhorancë demokrate në dhomën e ulët të Kongresit ka mundësinë ta bllokojë programin legjislativ të presidentit, megjithatë, fakti që mban frerët e Senatit i siguron Trumpit mundësinë të ketë në vazhdimësi dorë të lirë për caktime në postet kyçe.
“Kam marrë kaq shumë urime për fitoren tonë të madhe mbrëmjen e kaluar, duke përfshirë ato të miqve të huaj, që presin e shpresojnë për marrëveshje tregtare. Tani, të gjithë mund t’i kthehemi punës e t’i bëjmë gjërat siç duhet”, shkroi presidenti në Tëitter.
Votimi është konsideruar gjerësisht një referendum për presidentin, edhe pse rizgjedhja e tij nuk do të jetë në lojë deri në vitin 2020. Rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk përbënte praktikisht një surprizë, sepse ekziston një trend thuajse historik, sipas të cilit partia që nuk mban çelësat e Shtëpisë së Bardhë avancon në votimet e mesit të mandatit.
Kontrolli i forcuar i republikanëve mbi Senatin, ndërkohë, shihet nga disa si mjaft domethënës për vet faktin që manjati e fokusoi fushatën e tij te gara për dhomën e lartë të Kongresit. Në këtë pikë, është e qartë se kandidatët e mbështetur prej tij patën goxha përfitime.
“Trump, – thonë korrespondentët e huaj, – ndien se baza i ka mbështetur veprimet e ndërmarra prej tij këto dy vitet e fundit”.
Po çfarë ndryshimesh do të sjellë Kongresi i ri? Demokratët fituan më shumë se 23 vende që iu nevojiteshin në dhomën e ulët 435-vendëshe. Ata tani mund të nisin një hetim mbi administratën e Trumpit dhe çështjet e tij të biznesit, duke nisur nga aferat e biznesit, taksat dhe konfliktet e mundshme të interesit.
Demokratët mund t’i bllokojnë edhe planet legjislative, e veçanërisht premtimin e hershëm për ngritjen e murit në kufi me Meksikën. Ai vet, ndërkohë, e ka paraprirë edhe këtë situatë, e ka kërcënuar të hakmerret ndaj çdo hetimi demokrat.
Top Channel