Karen Khachanov i befason të gjithë në turneun “Masters” të Parisit. Tenisti rus është fituesi i turneut pasi mundi në finale serbin Novak Djokoviç 2-0, që tashmë është rikthyer në krye të renditjes ATP, pas tërheqjes së Rafael Nadal nga turneu parizien.
Djokoviç, që në gjysmëfinale mundi Roger Federerin, ishte favoriti për të fituar finalen, por Khachanov kishte të tjera plane.
Në setin e parë, tenisti serb arriti të marrë kryesimin në 3-1, por rusi iu kundërpërgjigj menjëherë, duke barazuar rezultatin në 3-3. Ekuilibri zgjati deri në 5-5, kur Khachanov fitoi 2 “game”-t e fundit për të mbyllur setin e parë 7-5.
Edhe në setin e dytë, Khachanov imponoi lojën e tij dhe mori kryesimin në 2-1, për ta çuar më atë pas në 4-2. “Game” i shtatë ishte një maratonë e vërtetë, e Djokoviç arriti me shumë vështirësi të ruajë shërbimin e tij, pasi anuloi 3 “breakpoint”-e për ta çuar rezultatin në 4-3.
Më pas, secili prej tenistëve fituan shërbimet e tyre, me Khachanovin që e mbylli këtë fraksion 6-4 dhe krejt ndeshjen 2-0, duke fituar titullin e tij të parë në një turne “Masters”.
Top Channel